Në ndeshjen e vlefshme për javën e 30-të në Superligë, derbi i rajonit të Drenicës mes Drenicës dhe Feronikelit është mbyllur pa fitues, njofton Insajderi.
E veçanta e këtij takimi ishte se golat u shënuan në minutën e parë të ndeshjes, si dhe në minutën e fundit.
Fillimisht do ta kalonin në epërsi mysafirët nga Drenasi me golin e shënuar nga Simonovski i cili do të shënonte që në minutën e parë. Me shifrat minimale 0:1 për mysafirët u mbyll fraksioni i parë i ndeshjes.
Në pjesën e dytë, nikoqirët nuk do të pajtoheshin me këtë rezultat, duke pas parasysh se rrezikojnë rënien nga Superliga, pasi Arbëria në sfidën tjetër po fitonte ndaj Besës, prandaj ekipi nga Skenderaj kërkonte së paku të evitonte humbjen.
Kur ndeshja pritej të mbyllej me fitoren e mysafirëve, kështu nuk mendoi Kreshnik Uka, i cili do të barazonte rezultatin në minutën e pestë shtesë, kështu duke ia siguruar një pikë me vlerë Drenicës.
Pas kësaj pike të fituar, Drenica mbetet në vendin e tetë me 34 pikë, katër më shumë se pozita që dërgon në Ligën e Parë. Në anën tjetër, ‘Nikli shkon në kuotën e 35 pikëve në vendin e gjashtë. /Insajderi.com