Drenica fiton ndaj Feronikelit, ndërsa Arbëria ndaj Besës

Drenica fiton ndaj Feronikelit, ndërsa Arbëria ndaj Besës

U luajtën ditën e sotme dy sfidat e vlefshme për javën e 21-të të Superligës së Kosovës, ku nuk munguan surprizat, njofton Insajderi.

Bledar Devollit arriti të triumfonte në “derbin” e trajnerëve nga Shqipëria ndaj Klodian Duros, teksa skuadra e tij Drenica, triumfoi në transfertë me rezultatin 1:3 ndaj Feronikelit.

Dopieta e Ukës në minutat 18-të dhe 79-të dhe goli i Erlis Frashërit në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, i siguruan tre pikë të arta ‘kuqezinjve’, teksa realizimi i vetëm për vendasit nga Nikli mban firmën e Simonovskit në minutën e 39-të.

Vlen të theksohet fakti se Feronikeli luajti për afro një pjesë me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Bojkut në minutën 45+1.

Me këtë fitore, Drenica u ngjit në kuotën e 23 pikëve, dhe mban momentalisht vendin e nëntë, ndërkohë që Feronikeli i Duros renditet në vendin e shtatë me 24 pikë.

Ndërkohë sfida tjetër mes Besës dhe Arbërisë përfundoi me rezultatin 0:3 në favor të skuadrës mysafire nga Lipjani.

Golat për Arbërinë u shënuan nga Marclei (8’), Bahtiri (33’) dhe golin e fundit e shënoi Kryeziu dy minuta pasi kishte filluar pjesë e dytë.

Me këtë fitore, Arbëria shkon në vendin e gjashtë me 25 pikë, ndërsa Besa mbetet në vendin e fundit në ligë me vetëm shtatë pikë. /Insajderi.com