Drita fiton derbin ndaj Ballkanit

Drita fiton derbin ndaj Ballkanit

Derbi i javës së 16-të në Superligën e Kosovës në futboll, mes Dritës dhe Ballkanit, i ka takuar ekipit nga Gjilani me rezultat 2:1, njofton Insajderi.

Që nga fillimi i ndeshjes e deri në fund, ndeshja ishte tepër e luftuar, pasi fituesi i kësaj ndeshje, pozicionohej në pozitën e parë në elitën e futbollit kosovar.

Të parët kaluan në epërsi vendasit me Kastriot Rexhën, i cili realizoi gol në minutën e 31-të të ndeshjes.

Në anën tjetër, ekipi i Ismet Munishit, nuk mund të pajtohej me këtë rezultat. Angazhimi i ekipit nga Suhareka dha fryt, pasi një minutë para fundit të pjesës së parë, golashënuesi më i mirë i Superligës, Mirlind Daku, arriti të barazonte gjithçka në këtë takim.

Mirëpo, nuk u mbyll me kaq pjesa e parë, pasi gëzimi e Ballkanit zgjati vetëm një minutë, pasi Rexha doli në skenë përsëri, me golin e dytë në takim, duke rikthyer në epërsi Dritën.

Kështu pjesa e parë në “Stadiumin e Qytetit” në Gjilan, u mbyll 2:1.

Në pjesën e dytë, Ballkani rrezikoi edhe katër herë të tjera, në tratativë për të barazuar rezultatin, pasi tentimet e Krasniqit, Dakut dhe Thaçit, nuk gjetën cakun e kërkuar.

Drita deri në fund u mbrojt mirë, duke mbajtur rezultatin, dhe kështu duke arkëtuar pikë shumë me vlera, pasi Ballkani është rivali kryesor për titull.

Me këto tre pikë, Drita merr kryesimin me 36 pikë, një më shumë se Ballkani që ndodhet në vendin e dytë. /Insajderi.com