Pas shumë vuajtjeve, dështimeve dhe problemeve tjera jashtë fushës së gjelbër, Mario Gotze është duke e parë “dritën në fund të tunelit”.
Mesfushori gjerman u largua nga Dortmundi në vitin 2020, duke e nisur një “aventurë” të re në Holandë, te PSV-ja, shkruan Insajderi.com.
Ky ndërrim i ambientit i ka bërë mirë atij që të rigjejë formën e tij të vjetër e cila i mungonte prej një kohe të gjatë.
Në sezonën e parë me klub(2020-21), Gotze ishte paraqitur në 18 ndeshje, ndërsa kishte shënuar pesë gola dhe regjistruar gjashtë asistime.
Për ta vërtetuar se forma e tij nuk ishte vetëm e momentit, ai e ka nisur me “këmbë të mbarë” edhe këtë sezonë.
Në pesë ndeshjet e parë të kampionatit ai ka asistuar dy herë dhe tashmë është shndërruar në një nga futbollistët kryesorë të skuadrës.
Gotze në të kaluarën ka qenë pjesë e Dortmundit dhe Bayern Munchen, ndërsa momenti më i suksseshëm në karrierën e tij është goli i shënuar në finalen e Kupës së Botës kundër Argjentinës, gol që i dhuroi Gjermanisë trofeun e shumëkërkuar.
Ndërkohë, PSV-ja gjendet në pozitën e dytë në futbollin elitar në Holandë me gjithsej 15 pikë, pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara./Insajderi.com