Derbi i javës së 12-të në Superligën e Kosovës në futboll, mes kampionëve të Dritës dhe Prishtinës ka përfunduar pa gola, njofton Insajderi.
Ndeshja u karakterizua me disa raste shënimi, mirëpo rastin më të mirë për shënim e kishin vendasit. Në zonën e Prishtinës pengohet Almir Ajzeraj nga Gledi Mici, ndërsa gjyqtari i takimit, nuk hezitoi të tregonte në pikën e bardhë. Erjon Vucaj godet nga 11-metërshi, mirëpo goditjen e tij e ndali portieri i Prishtinës, Eglant Haxho.
Edhe pas humbjes së penalltisë, nikoqirët nuk u demoralizuan, kërkuan golin e avantazhit deri në fund të pjesës së parë, kishin disa raste shënimi, por nuk arritën t’i konkretizonin.
Në anën tjetër, gjatë tërë pjesës së dytë të dyja skuadrat tentuan të shënonin golin e avantazhit, edhe pse kishin raste shënimi, por nuk ia dolën.
Me këtë pikë, Drita ka 23 pikë dhe ndodhet në vendin e dytë, ndërsa Prishtina me këtë barazim shkon në kuotën e 15 pikëve të tubuara dhe pozicionohet në vendin e pestë në tabelë. /Insajderi.com