Dumoshi: kemi ndarë 12.5 milionë euro për stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë

Dumoshi: kemi ndarë 12.5 milionë euro për stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka vizituar gjatë ditës së sotme Komunën e Mitrovicës, ku është pritur nga kryetari i kësaj komune, Agim Bahtiri, me të cili kanë biseduar edhe për projektin e rinovimit të stadiumit “Adem Jashari”, njofton Insajderi.

Gjatë takimit mes ministres Dumoshi dhe kryetarit Bahtiri, të dyjat palët kanë biseduar për projektet kapitale që ka ndarë Qeveria e Kosoves për Mitrovicën, ku projekti më i rëndësishëm është ai i stadiumit emblematik “Adem Jashari”, ku Kosova luante ndeshjet e saja para se të pranohej në instancat e futbollit ndërkombëtar.

Për stadiumin, ministrja Dumoshi tha “stadiumi “Adem Jashari” i cili ka një kosto rreth 12 milionë e gjysmë euro është projekt kapital, i cili pritet të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm.Në komunën e Mitrovicës ia vlen të investohet sepse një është stadium i kategorisë së katërt, i cili i plotëson të gjitha kriteret e UEFA-s dhe do të jetë një ndër stadiumet më të bukura, për shkak të kapaciteteve që ka. Ky stadium brenda do t’i ketë edhe shtigjet e atletikës dhe jashtë do të pasurohet edhe me një teatër veror”.

Më tutje minstrja Dumoshi foli edhe për stadiumin tjetër të Mitrovicës, ku ndeshjet i luan Trepça ’89 në Superligën e Kosovës, “Riza Lushta”.

“Gjithashtu ne do të investojmë dhe në projekte të tjera kapitale siç është stadiumi “Riza Lushta” në të cilin do të investojmë për tribuna si dhe tetë projekte për restaurim”, përfundoi fjalën e saj Dumoshi. /Insajderi.com