Dy adoleshentë arrestohen në Belgjikë nën dyshimin për komplot terrorist

Dy adoleshentë arrestohen në Belgjikë nën dyshimin për komplot terrorist

Zyra e prokurorit federal të Belgjikës thotë se janë arrestuar dy persona të mitur të dyshuar për komplotin e asaj që është etiketuar si një sulm terrorist, shkruan The Guardian, transmeton Insajderi.

Të dyshuarit e moshës 16 dhe 17 vjeçare u arrestuan më 31 tetor pas bastisjeve në qytetet Eupen dhe La Calamine, të vendosura në provincën e Liège. Zyra e prokurorit tha se ata ishin të dyshuar për “vrasje terroriste në tentativë dhe pjesëmarrje në një organizatë terroriste”.

Të dy të miturit janë vendosur në një qendër për mbrojtjen e të rinjve. Sipas transmetuesit belg “RTBF”, të dyshuarit kishin regjistruar një video të besnikërisë ndaj Shtetit Islamik dhe ishin të dyshuar për planifikimin e një sulmi me thikë kundër oficerëve të policisë.

Arrestimet u bënë para sulmit të së hënës në Vjenë, ku një burrë i cili më parë ishte përpjekur të bashkohej me Isis qëlloi për vdekje katër persona në kryeqytetin austriak para se të vritej nga policia.

Katër vjet më parë, sulmet e koordinuara vranë 32 persona dhe plagosën qindra të tjerë në aeroportin “Zaventem” të Brukselit dhe në sistemin e metrosë së qytetit. Autoritetet belge që atëherë kanë penguar disa komplote terrori. /Insajderi.com