Në “Santiago Bernabeu” publiku janë duke shijuar artin që në fushën e gjelbër po e dhurojnë Karim Benzema dhe Vinicius Jr.
Benzema ka bërë një nisje ëndrrash në La Liga ku ka shënuar tetë gola dhe ka asistuar shtatë herë në gjashtë ndeshjet e para, shkruan Shqip.com.
Statistikat e tij në gjashtë ndeshjet e para janë më të mirë të të gjitha kohërave në futbollin elitar spanjoll, madje as Leo Messi dhe Cristiano Ronaldo nuk kanë pasur fillime të tilla.
Numri nëntë në ndeshjen e së mërkurës të zhvilluar kundër Mallorcas ishte “ankth” i mbrojtësve duke shënuar dy gola dhe duke asistuar në dy të tjerë.
Madje, pas kësaj ndeshje, reprezentuesi i Francës ka arritur shifrën e 200 golave në Spanjë.
33 vjeçari përveç momenteve të mira individuale ka pasur një rol tejet të madh në zhvillimin e Vincius Jr i cili gjithashtu duket që do e bëjë “shpërthimin e madh” këtë sezonë.
Sulmuesi brazilian ka shënuar pesë gola dhe ka 2 asistime në po aq ndeshje të luajtuara.
Vinicus në krahun e majtë dhe Benzema që formalisht është në qendër, por në fushë është futbollist i lirë janë shëndërruar në një dyshe që asnjë ekip nuk do i dëshironte përballë.
Duke marrë parasysh që madrilienët kanë “rezerva luksi” si Gareth Bale dhe Eden Hazard që kanë potencial të jashtëzakonshme, por nuk e kanë rigjetur formën më të mirë, atëherë mund të thuhet se “Los Blancos” janë ndër favoritët kryesorë në La Liga.
Galaktikët gjenden në vendin e parë me 16 pikë, dy më shumë se Atletico Madrid që është në vendin e dytë./Insajderi.com