Dy persona të vdekur dhe një i plagosur në një kazino në SHBA, policia vret dorasin

Dy persona të vdekur dhe një i plagosur në një kazino në SHBA, policia vret dorasin

Dy persona kanë vdekur dhe një tjetër ka mbetur i plagosur më 1 maj, pas një sulmi me armë zjarri që ka ndodhur në një kazino në Wisconisin të Shteteve të Bashkuar të Amerikës, transmeton Insajderi.

Sulmi ndodhi rreth orës 19:30, në kazinon ‘Oneida’, e operuar nga Oneida Nation në anën perëndimore të Green Bay.

Hetuesit policorë besojnë se personi i armatosur po kërkonte një person specifik, shkruan ‘Associated Press’.

“Raportohet se personi që agresori kishte për shënjestër nuk ishte në kazino në atë kohë, kështu që ai në vend të kësaj qëlloi “bashkëpunëtorët e shënjestrës”, tha toger Kevin Pawlak.

Policia ka njoftuar se ka vrarë autorin e sulmit, i cili dyshohet se ishte në një marrëdhënie me një punëtore.

“Policia më pas qëlloi dhe vrau personin e armatosur, për të cilin hetuesit dyshojnë se ishte në një marrëdhënie me një punonjëse në restorantin Duck Creek brenda Radisson Hotel & Qendra e Konferencave e bashkangjitur me kazinonë”, tha ai.

Autoritetet thanë se kjo ngjarje nuk përbën kërcënim për komunitetin./Insajderi.com