Dy të vdekur e disa të zhdukur nga shpërthimi në një park industrial në Gjermani

Dy të vdekur e disa të zhdukur nga shpërthimi në një park industrial në Gjermani

Ka shkuar në dy numri i viktimave nga shpërthimi në një park industrial gjerman të martën, ndërsa 31 të tjerë janë lënduar e disa akoma mbesin të zhdukur, transmeton Insajderi.

Shërbimeve të urgjencës iu deshën tri orë për të shuar zjarrin në vendin Chempark.

“Mendimet e mia janë me të plagosurit dhe me të dashurit e tyre,” tha shefi i Chempark, Lars Friedrich. “Ne jemi ende në kërkim të njerëzve të zhdukur, por shpresat për t’i gjetur ata gjallë po zbehen,” shtoi ai, shkruan Reuters.

Policia tha se pesë nga 31 personat e lënduar u prekën mjaft seriozisht dhe kanë nevojë për kujdes intensiv.

“Ky është një moment tragjik për qytetin e Leverkusen,” tha Uëe Richrath, kryetari i qytetit, i cili shtrihet në veri të Këlnit.

Zona dhe rrugët përreth ishin mbyllur në pjesën më të madhe të ditës.

Policia u tha banorëve që jetonin afër të qëndronin brenda dhe të mbyllnin dyert dhe dritaret në rast se kishte gazra toksikë.

Friedrich i Chempark tha se nuk ishte e qartë se çfarë e kishte shkaktuar shpërthimin, i cili çoi në një zjarr që filloi në një tank që përmbante tretës.

Leverkusen është më pak se 50 km (30 milje) nga një rajon i goditur javën e kaluar nga përmbytjet katastrofike që vranë të paktën 180 njerëz./Insajderi.com