Pas shitjes së Vedat Muriqi-t te italianët e Lazio-s, nga shitja e tij, përfituan edhe dy skuadra shqiptare, Teuta e Durrësit dhe Besa e Kavajës, ku në të kaluarën, Muriqi ishte pjesë e tyre, njofton Insajderi.
Kjo gjë nuk i ka ikur as ish-klubit të vendlindjes, Lirisë së Prizrenit, ku lojtari mori hapat e parë në karrierën futbollistike. Sekretari i klubit prizrenas, Bashkim Kajdomçaj, u shpreh se Lirisë i takon të përfitojë 5% nga transferimi i sulmuesit në Itali. Në kohën kur Muriqi kaloi nga Liria te Teuta në vitin 2012, Kosova nuk ishte pjesë e organizatave ndërkombëtare të futbollit.
Ndërsa sot Kosova është anëtare me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA, dhe zyrtari i Lirisë pretendon se klubit i takon 5% e shumës së transferimit. Në një prononcim për “Gazeta Express”, sekretari i klubit nga Prizreni, ka thënë:
“kemi dokumentin që e vërteton se Muriqi ka qenë futbollist i jonë nga viti 2006-2012. Po ashtu ne kemi kontratën profesionale dhe kartonin e futbollistit që njihet si pasaportë e futbollistit. Kemi edhe vërtetime të tjera dhe kemi procesverbalet e ndeshjeve të kampionatit në Kosovë ku ka luajtur Muriqi. Prandaj ne do ta marrim 5% e shumës. Ne i kemi angazhuar edhe dy avokatë holandezë dhe disa këshilltarë që do të merren juridikisht dhe ligjërisht me këtë transferim. Por, jo vetëm me kaq, ne do të kërkojmë 5% të Muriqit në çdo transferim tjetër pasi që lojtari ka ndërruar disa skuadra edhe në të kaluarën”, tha Kajdomçaj. /Insajderi.com.