Edhe një skandal po e tronditë Evropën

Azerbajxhani i ka korruptuar deputetët e Kuvendit parlamentar të Këshillit të Evropës, është konfirmuar me një hetim të ekspertëve të pavarur.

Edhe një skandal po e tronditë Evropën

Siç shkruan Max Hoffman, analist i Deutsche Welle, nëse deputetët pranojnë para ilegale dhe dhurata në vend se ta luftojnë korrupsionin, atëherë Këshilli Evropian më nuk është i nevojshëm.

“Që Rusia dhe Turqia nuk kanë çfarë të kërkojnë në një institucion i cili zyrtarisht angazhohet për shtet ligjor dhe demokraci, në të vërtet kjo duhet të jetë e qartë. Mirëpo, në Strasburg shumë njohës të situatës thonë se përjashtimi i tyre nuk do të sjellë asgjë. Sepse atëherë nuk do të mund të ndikohet në Putinin dhe Erdoganin. Ngjashëm është menduar edhe për Azerbajxhanin. Se ky vend së pari do të integrohet e më pas në të do të eksportohen vlerat evropiane. Por, nuk doli ashtu … Për të gjithë ata puna e të cilëve konsiston në atë që vazhdimisht mendojnë për detyrat e ndryshme të Këshillit Evropian, Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës: ky i fundit nuk ka të bëjë asgjë me Bashkimin Evropian. Prandaj aty mund të pranohen edhe vendet tjera. Selia është në Strasburg të Francës dhe Këshilli angazhohet për “të drejtat e njeriut”, “elementet themelore të demokracisë” dhe “parimet themelore të shtetit ligjor”. Së paku në teori. Por, tani t’i kthehemi shtetit tonë të shkathtë nga Deti Kaspik”, shkruan Hoffman.

Sipas fjalëve të tij, Azerbajxhani më me sukses i eksportoi vlerat e veta në Perëndim sesa anasjelltas, transmeton Insajderi.com.

“Në rregull, fjala vlerat ndoshta është shumë e fortë, por tepihët, prodhimet luksoze dhe para se gjithash paratë –  fjala është pikërisht për këtë. Disa deputetë të Kuvendit parlamentar, është e qartë se me dëshirë i kanë pranuar këto dhurata dhe si shkëmbim i kanë shtyrë raportet shqetësuese mbi të drejtat e njeriut në Azerbajxhan “nën tepihët” e famshëm. “Është shumë e besueshme” që ka ndodhur kështu – së paku kështu thonë tre ekspertë të pavarur në raportin e tyre përfundimtar. Edhe njëherë u tregua: Evropa shumë shpesh e sheh veten si mësuese për moralin, por – nuk është kështu. Me fjalë tjera: përse në të vërtetë po marrim pjesë në gjithë këtë? Politikanët me rroga të majme nga tatimpaguesit evropian me vite janë ulur në një institucion margjinal. Shumicës së qytetarëve as nuk iu intereson se çfarë bëjnë ata. Madje as vëzhguesit objektiv nuk e kanë të qartë se a ka kuptim gjithë kjo”, shton Hofman.

Siç thekson ai, politikanët të cilët duhet të luftojnë kundër korrupsionit i kanë përmirësuar dukshëm gjendjet nëpër llogaritë e veta bankare me mjete ilegale, gjë të tani doli në shesh.

“Edhe ky nuk është rasti i vetëm, por në të, siç po qëndrojnë gjërat, janë përzier shumë anëtarë të Kuvendit parlamentar të Këshillit të Evropës. Të gjithë ata nga vendet të cilët në të vërtetë kanë standardet tjera për korrupsionin. Për shembull, nga Gjermania. Pra, a duhet ta mbyllim dyqanin? Ai nuk shërben për asgjë, po i kushton taksapaguesit evropianë para dhe po figuron si platformë për pasurimin e deputetëve të korruptuar evropian. Askush nëpër institucionet apo kryeqytetet evropiane nuk duhet të çuditen nëse tani arrijnë kërkesat e tilla. Këtu ka diçka. Por edhe kundër argumenti është i saktë: më mirë të bisedohet në mes veti në forume të tilla dhe të angazhohet për vlera të caktuara – duket se shumica e parlamentarëve ende e bëjnë këtë. Është e saktë sidomos në raport me Rusinë, ku mirëmbajtja e dialogut mund të sigurojë paqen. Por, Këshilli i Evropës tani është në nokdaun. Nëse nuk dëshiron të nokautohet, në Strasburg duhet të ndryshojë diçka në mënyrë urgjente. Njerëzit të cilët punojnë atje duhet të luftojnë për vlerat zyrtare të institucioneve të tyre. Për “diplomacinë e havjarit” nuk duhet të ekzistojë toleranca zero vetëm në letër, përfundon Hoffman./Insajderi.com.