Edhe pas pranimit në FIFA, futbollistët nga Zvicra “tradhtojnë” Kosovën

Pas Hadergjonajt, edhe një tjetër kosovar pritet t’i bashkohet kombëtares zvicerane javën e ardhshme. Siç raporton gazeta zvicerane Blick, sulmuesi i St. Gallen, Albian Ajeti, ka zgjedhur Zvicrën.

Edhe pas pranimit në FIFA, futbollistët nga Zvicra “tradhtojnë” Kosovën

Futbollistët me origjinë shqiptare në Zvicër po injorojnë vendin e origjinës, Kosovën, për të luajtur me shtetin që i edukoi.

Edhe pas pranimit të Kosovës në dy organizmat ndërkombëtar të futbollit, UEFA dhe FIFA, futbollistët me origjinë shqiptare që janë rritur në Zvicër, zgjedhin shtetin helvetik për të përfaqësuar në nivel kombëtar.

Përpos Xherdan Shaqirit, Granit Xhakës, Valon Behramit dhe Shani Tarashajt, të cilët kanë luajtur me Zvicrën edhe para se Kosova të pranohej në FIFA, edhe gjenerata e futbollistëve të rinj shqiptarë po ndjekin rrugën e tyre.

Florent Hadergjonaj u zyrtarizua të hënën si një nga prurjet e reja në përfaqësuesen e Zvicrës, për miqësoren ndaj Bjellorusisë dhe ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës ndaj Ishujve Faroe. Mbrojtësi me origjinë kosovare deri në atë moment po luante me dy “karta”. Njëra Kosova, e tjetra Zvicra.

“Jam në bisedime me zyrtarët e FFK-së, mirpo njëherë jam i koncentruar për ta mbyllur me Zvicrën U-21”, kishte thënë Hadërgjonaj në një intervistë për RTV 21, në dhjetor të vitit 2015. E që atëherë ai i ka mbajtur në pritje zyrtarët e FFK-së.

Megjithatë, Kosova duket se ishte gjithmonë zgjedhja e dytë për të.

Pas Hadergjonajt, edhe një tjetër kosovar pritet t’i bashkohet kombëtares zvicerane javën e ardhshme. Siç raporton gazeta zvicerane Blick, sulmuesi i St. Gallen, Albian Ajeti, ka zgjedhur Zvicrën.

Sipas gazetës zvicerane, Ajeti do të qëndrojë me klubin e tij gjatë kësaj jave – pasi St. Gallen do të ballafaqohet ndaj Baselit në finale të Kupës së Zvicrës të mërkurën – por do t’i bashkohet Zvicrës pas kësaj ndeshje. Ai pritet të jetë në dispozicionin e Vladimir Petkoviç për ndeshjen ndaj Ishujve Faroe.

Pas rastit “Xhaka”, futbolli zvicerano-shqiptar do të ketë edhe një tjetër precedent të ngjashëm. Ky do të jetë rasti “Ajeti”. Njëri do të luajë për Shqipërinë, e tjetri për Zvicrën. Vëllai i madh do të luajë për vendin e origjinës, e vëllai i vogël do të luajë për vendin ku është rritur dhe edukuar.

Kosova, zgjedhje e dytë për futbollistët shqiptarë nga Zvicra

Se futbollistët shqiptarë që jetojnë në Zvicër po e përdorin Kosovën si “kartë rezervë”, e ka dëshmuar edhe futbollisti aktual i përfaqësueses, Hekuran Kryeziu.

Mesfushori i FC Luzern, në një intervistë dhënë Radio Televizionit 21 në muajin mars të këtij viti, ishte pyetur rreth vendimit për të lënë Zvicrën, e në vend të saj të vinte tek Kosova. Kryeziu kishte luajtur vetëm me grupmoshat e kombëtares së Zvicrës – nga U-17 deri tek U-21.

Kryeziu deklaroi se Zvicrën nuk do ta kishte lënë, por se nuk kishte ftesë nga kombëtarja A.

“Unë nuk e lash Zvicrën, por nuk pata ftesë nga kombëtarja A e Zvicrës dhe pastaj zgjodha Kosovën”, deklaroi Kryeziu. “Kam biseduar me trajnerin [Albert Bunjaki v.j], dhe pastaj vendosa të luajë për Kosovën, sepse është vendi i babait dhe nënës time”.

Hekuran Kryeziu është njëri nga futbollistët me më së shumti paraqitje për Kosovën, që prej pranimit të FFK-së në FIFA dhe lejimit për zhvillimin e ndeshjeve zyrtare përfaqësueses së Kosovës.

Zvicra i cilëson futbollistë të së ardhmes

Fakti që për ndeshjet ndaj Bjellorusisë dhe Ishujve Faroe, skuadra përfaqësuese e Zvicrës ftoi Hadërgjonajn, dhe pritet ta ftojë dhe Ajetin, sipas medieve zvicerane tregon se Vladimir Petkoviq beson tek dy talentët.

Trajneri kroat i Zvicrës është duke e reformuar skuadrën.

E për të zëvendësuar plejadën e lojtarëve të vjetër, Petkoviç është duke bazuar projektin e tij për Zvicrën e së ardhmes rreth këtyre futbollistëve: Lacrouix (Saint Ettiene), Manuel Akanji (Basel), Florent Hadërgjonaj (Ingolstadt) dhe Albian Ajeti (St. Gallen).  /Insajderi.com