Pas një pritjeje prej mëse 5 muajsh, Albanian ICT Awards mbylli suksesshëm edicionin e saj të 8-të me shpalljen e fituesve në Mbrëmjen Gala në Tiranë.
Në këtë ceremoni të veçantë nderuan me pjesëmarjen e tyre Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Erion Veliaj, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë z. Duncan Norman, Ambasadori i Kosovës në Shqipëri z. Nait Hasani, përfaqësues të botës akademike, biznesit, artit dhe medias.
Këtij eventi, me një pjesëmarrje fizike dhe virtuale nuk mund t’i mungonin inovatorët, sidomos ata më të spikaturit e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në gjithë hapësirën mbarë shqiptare, si ekspertë, menaxherë, përfaqësues të botës akademike dhe sipërmarrës të suksesshëm në sektorin e ICT-së.
Fjalën hapëse të aktivitetit e mbajti bashkëthemeluesi i ICT Awards z. Kushtrim Shala i cili u shpreh me fjalët: “Ky nuk është thjeshtë një event ku ne vishemi bukur dhe duartrokasim fituesit. Është një kryengritje e mendjeve të ndritura, është një natë që festojmë me të gjitha ata që luftojnë çdo ditë që Shqipëria jonë të mos jetë thjeshtë një vend i vogël në hartë.”
Kryetari i Jurisë së ICT Awards z. Altin Petre tha se ICT Awards është këtu për të hedhur dritë mbi punën e palodhur por edhe të padukshme të shumë shqiptarëve në fushën e teknologjisë. Juria e ICT Awards përbëhet nga ekspertë të fushës së teknologjisë nga sektorë publikë, privatë dhe akademikë. Aplikimet e mbërritura në ICT Awards në sytë e jurisë duhej jo vetëm të kishin impakt social por edhe aftësi për të rezistuar në tregun e lirë.
Një mik i madh i ICT Awards, Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Erion Veliaj tha se do të ishte mëkat edhe nëse me një numër të kufizuar të mos kishim një Mbrëmje Gala të ICT Awards këtë vit. “Fakti që në Shqipëri është shumë e vështirë të realizosh dhe organizosh gjëra dhe sa përkushtim duhet, tregon vlerën e vërtetë të këtij aktiviteti.” Ai vijoi duke thënë se “kur diçka ndodh një herë është risi, kur ndodh dy herë është ndoshta shans ose rastësi por kur ndodh tetë herë atëherë është traditë.”
Ceremonia e kurorëzimit të ICT Awards filloi me kategorinë ICT Inovacioni i Vitit ku konkurronin Edmonda Kelmendi me projektin Fermeri, Betim Drenica me projektin Albanian Speech to Text with Machine Learning dhe Endri Dibra me projektin Digital Human Avatars and AI from Smartphones for AR Body Applications. Fitues u shpall Endri Dibra me një aplikacion mobil për pacientë dhe kirurgë i ndërtuar i gjithi në inteligjencë artificiale dhe realitetin e shtuar. Funksioni kryesori i produktit është të vizualizojë trajtimet kirurgjikale direkt në trupin e pacientit.
Në kategorinë ICT Ylli në Ngritje vu ballafaquan Venis Morina me projektin Xcom, Toska Shala me projektin Shoku Yt dhe Geart Ferhati me projektin Students4Students. Fitues u shpall Venis Morina projekti i të cilit është lehtësimi i blerjes së produkteve në markete, menaxhimi i ekonomisë së konsumatorit, analizimi i të dhënave të shitjes për marketin dhe reklamimi i produkteve dhe rritja e shitjeve të marketeve.
Çmimi Gruaja e Vitit për edicionin 8-të shkoi për Diana Xhumari, CEO e Tegeria me një karrierë të gjerë në teknologji, programim dhe konsulencë në 18 vende të botës. Në këtë kategori konkurronin Megi Alimuçaj dhe Lolita Ndoci.
Shërbimi Publik i Vitit në Shqipëri shkoi për Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor me projektin eDM. Sistemi i Drejtuesit të Mjeteve, Dëshmive dhe Certifikatave – eDM është një sistem kompleks dhe gjithëpërfshirës duke mundësuar përmbushjen e të gjithë funksionaliteteve që lidhen me dëshmitë e drejtuesve të mjeteve. Krahas eDM konkurronte edhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Çmimi i Shërbimit Publik të Vitit në Kosovë shkoi për projektin Kosova.health zhvilluar nga Vianova Health. Me këtë sistem u bë e mundur që të gjitha rastet, brenda platformës Vianova të bëhen “track-and-trace”, që nënkupton se personat e infektuar dhe kontaktet e tyre të gjurmohen dhe të evidentohen brenda platformës për observim dhe testim. Në këtë kategori konkurroi edhe Fondacioni Kosovar për Zhvillim të Karrierës me projektin Bursisti.
Në kategorinë risi për këtë vit që zëvendësoi kategorinë e Mobilitetit, ICT Startupi i Vitit garuan Geri Cupi me projektin MonoChain, Erik Zhupi me projektin Jason dhe Julian Demeti me projektin Communis Cloud. Çmimi shkoi për Geri Çupi, një sipërmarrës serial. Projekti i tij Monochain është një platformë B2B që synon të lehtësojë rishitjen për përdoruesit dhe mundësuar markave të monetizojnë tregun e rishitjeve. Përmes teknologjisë blockchain.
ICT Diploma e Viti shkoi për Elkida Bazaj dhe projektin e saj A dictionary-based approach to Albanian Stemming Algorithm. Tema e saj e Diplomës kishte për qëllim përmirësimin e algoritmeve të rinj ose ekzistues stemming për gjuhën Shqipe. Në këtë kategori konkurronte me Enes Çela dhe Bianka Shqefni.
Në ICT Cyber Security triumfoi Tanzer Abazi me projektin Findbug. Abazi ka një eksperiencë prej mësë 10 vitesh në teknologji informacioni dhe mbi 8 vite në sistemet e sigurisë së informacionit dhe kontribuar në rritjen e ndërgjegjësimin rreth sigurisë kibernetike në institucione private e publike në Evropën Juglindore. në kategorinë ICT Cyber Security konkurruan edhe Valdrin Beluli dhe Arti Karahoda.
Në Mbrëmjen Gala nderoi me pjesëmarrjen e tij edhe epidemiologu Dr. Pëllumb Pipero i cili ndau dy mirënjohje për dy projekte të cilat kanë garuar në kategorinë risi Covid-19 të ICT Awards këtë vit.
Mirënjohjet shkuan për Kristi Xherahu, Egzon Zeka, Liridona Alia me projektin Mind Dive, Sokol Ajdini me projektin Covid-19 Diagnostic Screening Self-Test, Endri Brahja me projektin E-Demic dhe Bestart Kuleta, Endrit Vitija, Armend Kadrija dhe Labinot Bajrami me projektin RrinShpi.
Ata u vlerësuan për kontributin e shquar dhënë kundër pandemisë së Covid-19, ndërgjegjësimin, informimin e këshillimin e njerëzve dhe ofrimin e mbështetjes për autoritetet dhe bizneset në përballimin e saj.
Gara mbarëshqiptare në teknologji ICT Awards nisi edicionin 8-të me 7 Shkurt në Tiranë ku zbuloi për komunitetin e ICT kriteret, vlerësimet dhe shpërblimet e këtij viti dhe kategoritë e garës: ICT Inovacioni i Vitit, ICT Startupi i Vitit, ICT Ylli në Ngritje i Vitit, ICT Diploma e Vitit, Gruaja në ICT, ICT Shërbimi Publik i Vitit dhe ICT Siguri Kibernetike.
Po gjatë muajit Shkurt nisën takimet e para në disa qendra, shkolla, universitete e hapësira inovacioni në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni si: Tirana, Prishtina, Shkupi, Elbasani, Vlora, Korça, Lezha, Prizeni, Peja, Gjilani dhe Presheva.
Në këtë edicion të jashtëzakonshëm ICT Awards bëri thirrje edhe për projekte e zgjidhje inovative në ndihmë të shoqërisë në luftën përballë Covid-19.
Konkursi mbarëkombëtar tashmë është kthyer në një institucion të vlerësimit të gjithë atyre talenteve shqiptarë në sektorin e ICT-së, në promovimin dhe mbështetjen e tyre për të ecur në rrugën e bukur të inovacionit dhe kreativitetit. Pas një udhëtimi të gjatë nëpër qytetet e Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe në institucionet akademike dhe shtetërore Albanian ICT Awards, arriti të tërheqë kureshtjen dhe interesin e qindrave të rinjve
Edicioni i tetë i ICT Awards gëzoi mbështetjen e sponsorëve tradicionalë si Fondacioni Dritan Hoxha, Banka Raiffeisein dhe Albvision si dhe të shumë sponsorëve, partnerëve e mbështetësve si Ambasada Britanike, Albsoft, Facilization, Universiteti Metropolitan, Riinvest, UBT, AUK, Gjirafa dhe Soft&Solutions.
Rreth ICTSmedia
ICTSmedia si një shtëpi botuese dhe lider në median e ndërlidhur me Teknologjinë e Informacionit, Komunikimit dhe Sigurisë (ICTS), kësaj radhe prezanton edicionin e 8-të vjetor kombëtar të evenimentit shpërblyes “Albanian ICT Awards VIII” (ose “TIK Shpërblimet Shqiptare 8”).
Faqja zyrtare: https://ictawards.org/2019/
Faqja zyrtare në Facebook: https://www.facebook.com/ictawards.org/
Rrugëtimi i ICT Awards: https://ictawards.org/2019/news/
Fituesit
ICT Inovacioni i Vitit: Endri Dibra me projektin Digital Human Avatars and AI from Smartphones for AR Body Applications
ICT Startupi i Vitit: Geri Cupi me projektin Monochain
ICT Ylli në Ngritje: Venis Morina me projektin Xcom
ICT Diploma e Vitit: Elkida Bazaj me projektin A dictionary-based approach to Albanian Stemming Algorithm
Gruaja në ICT: Diana Xhumari CEO e Tegeria
ICT Shërbimi Publik i Vitit Shqipëri: DPSHTRR me projektin eDM
ICT Shërbimi Publik i Vitit Kosovë: Vianova Health me projektin Kosova.health
ICT Cyber Security: Tanzer Abazi me projektin Findbug
Mirënjohje për kontributin e dhënë kundër Covid-19: Kristi Xherahu, Egzon Zeka, Liridona Alia me projektin Mind Dive; Sokol Ajdini me projektin Covid-19 Diagnostic Screening Self-Test; Endri Brahja me projektin E-Demic dhe Bestart Kuleta, Endrit Vitija, Armend Kadrija dhe Labinot Bajrami me projektin RrinShpi./Insajderi.com