Ekonomia amerikane tkurret për 4,8 për qind në tremujorin e parë

Departamenti amerikan i Tregtisë tha sot se prodhimi i brendshëm i përgjithshëm, u tkurr më shumë se 4,8 për qind në tremujorin Janar-Mars. Kjo është rënia më e madhe në një tremujor që nga Recesioni i Madh, i cili përfundoi në vitin 2009. Është gjithashtu tkurrja e parë e një tremujori në gjashtë vjet.

Ekonomia amerikane tkurret për 4,8 për qind në tremujorin e parë

Analistët thonë se edhe më i zymtë është parashikimi për tremujorin pasardhës prill-qershor, periudhë gjatë së cilës mbylljet e bizneseve dhe pushimet nga puna goditën me forcë shkatërruese.

Administrata e Presidentit Donald Trump ka një pikëpamje më optimiste. Presidenti u tha gazetarëve këtë javë se ai pret një “rritje të madhe” në tremujorin e tretë, që do të ndiqet nga një “tremujor i katërt i jashtëzakonshëm.” Prej disa javësh, biznese të shumta në të gjithë vendin janë mbyllur dhe dhjetëra miliona njerëz kanë humbur punën. Besimi i konsumatorëve ka rënë gjithashtu.

Megjithatë, disa ekonomistë shpresojnë se rigjallërimi do të vijë shpejt pasi të përfundojë kriza shëndetësore. Numri i të konfirmuarve me koronavirus në SHBA e ka kaluar shifrën një milion ndërsa ai i të vdekurve është rreth 58,400. Dr. Anthony Fauci, i cili drejton Institutin Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive, tha të martën se pret që numri i rasteve me COVID-19 të shtohet kur vendi të rihapet nga izolimi./voa.