Valon Berisha më 30 janar edhe zyrtarisht kaloi në klubin gjerman, Fortuna Dusseldorf, që bën gara në rangun më lartë në futbollin gjerman (Bundesliga). Reprezentuesi i Kosovës në një bisedë me Insportin ka treguar prapaskenat e transferimit të tij në futbollin gjerman dhe arsyet pse vendosi për Fortunën. Berisha, i lindur në Malmo, karrierën profesionale e filloi në Viking Stavanger në vitin 2010. Pas tri vitesh në Norvegji, ai kaloi në klub austriak Salzburg. Në Austri, ai shënoi 45 gola dhe dhuroi 65 asistime në 233 paraqitje në gara zyrtare, fitoi pesë tituj të kampionit dhe katër kupa. Reprezentuesi i Kosovës në 18 muajt e fundit ka luajtur për Lazion duke fituar Kupën e Italisë. Berisha zhvilloi tetë ndeshje në pjesën e parë të sezonit, duke përfshirë katër në Ligën e Evropës.
Berisha është ndër futbollistët e pak të Përfaqësueses së Kosovës që kanë ndërruar ambient, gjatë afatit kalimtar të janarit që u mbyll më 31 janar. Mesfushori shqiptar debutoi me fanellën e Fortunës ndaj Eintracht Frankfurt dhe zhvilloi 77 minuta. “Vendosa për Fortunën, sepse ishin të interesuar shumë për mua edhe kishin shumë dëshirë të madhe që unë të transferohem, për t’iu ndihmuar në objektivat e klubit. Unë u ndjeva mirë, e dija se mundësitë për të luajtur janë të mëdha edhe në situatën time, minutazhi i madh është shumë i rëndësishëm, për t’u kthyer në formën më të mirë fizike dhe formën që e kisha më herët”, ishin fjalët e para të Berishës në bisedën me Insportin.
Intervistën e plotë mund ta lexoni në Insporti.com.