Data 1 tetor është nesër. Nesër do të duhej të kishte edhe një marrëveshje në tavolinë për problemin e Telekomit me kompaninë Dardafon/Z-Mobile. Por, marrëveshje ende nuk ka. Një burim brenda Telekomit i ka thënë Gazetës Online Insajderi se bllokimi i serishëm i xhirollogarive është opsion real, nëse brenda pak orësh nuk arrihet te një zgjidhje.
Kanë mbetur më pak se 24 orë për të skaduar afati që ishte përcaktuar nga Qeveria e Kosovës për t’i gjetur një zgjidhje problemit në mes të Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Dardafon/Z-Mobile, e cila ia kishte bllokuar llogaritë bankare për disa ditë, duke lënë punëtorët pa paga. Bllokim që rrezikon të përsëritet.
Pas negociatave që përfshinin Telekomin, Qeverinë e Kosovës dhe kompaninë Dardafon, ishte arritur një marrëveshje xhentëlmenësh që deri me një tetor t’i gjindet një zgjidhje kësaj telasheje milionëshe.
Qeveria ishte zotuar që të arrihet një marrëveshje me Z-Mobile, e cila kërkon rreth 30 milionë eurot e fituara në rastin ndaj Telekomit në Gjykatën e Arbitrazhit, pas pretendimeve për “shkelje të marrëveshjeve”.
Meqë Telekomi nuk kishte shlyer detyrimin që ia impononte vendimi i Gjykatës, Z-Mobile përdori instrumentin e përmbaruesit.
I njëjti skenar mund të ndodhë përsëri, meqë koha për marrëveshje ka ardhur, por marrëveshja jo.
Burime të brendshme të Gazetës Online Insajderi brenda Telekomit thonë se, “gjasat janë shumë të mëdha që të bllokohen prapë xhirollogaritë bankare të Telekomit nëse nuk arrihet një marrëveshje”.
I njëjti burim thekson se “bllokimi i xhirollogarive” është përmendur në disa raste si opsion real.
I pyetur nga Insajderi, kryesuesi i bordit të Telekomit, Mehmet Berisha, e ka pranuar se nuk ka ende marrëveshje, megjithatë ai shprehet optimist.
“Për marrëveshje është duke u punuar”, pohon Berisha duke mos konkretizuar më shumë.
Ndërsa, Xhavit Beqiri, këshilltari për media i kryeministrit, Avdullah Hoti, ka refuzuar të japë një koment. Ka thënë se “kompetencë të flasë ka ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi”. Sepse, Kuçi ka qenë i përfshirë direkt në arritjen e një zgjidhjeje.
Insajderi ka provuar të flas me Kuçin. Ka qenë e pamundur.
E pamundur duket edhe gjetja e një zgjidhje në më pak se 24 orë, prandaj ka shkaktuar panik te Federata Sindikale e Telekomit.
Kryetari i kësaj sindikate, Lamih Balaj, tha për Insajderi-in se nuk është thirrur në asnjë mbledhje dhe nuk ka informacione se çfarë po ndodh me Telekomin.
Por, sipas tij, në rast se përsëritet skenari i para disa muajve ku kartelat bankare nuk ishin nën kontroll Telekomit, atëherë s’do durojnë pa reaguar.
“Nuk jam ftuar në asnjë mbledhje, në rast se ndodhë më e keqja atëherë ne nuk do të qëndrojmë duarkryq”, tha ai./Insajderi.com