Erdogan kërcënon kurdët për mbajtjen e referendumit

Erdogan kërcënon kurdët për mbajtjen e referendumit

Presidenti i Turqisë, Tajip Erdogan, ka thënë se autoritetet kurde të Irakut do të paguajnë shtrenjtë për një referendum të pavarësisë i cili është kundërshtuar gjerë nga fuqitë e huaja.

Kurdët e Irakut e mbështetën fuqishëm pavarësinë në referendumin e së hënës, duke sfiduar vendet fqinje të cilat frikësohen se vota pro pavarësisë mund të ushqejë separatizmin kurd në kufijtë e tyre dhe të çojë në ndonjë konflikt të ri.

“Ata nuk po formojnë një shtet të pavarur, ata po e hapin një plagë në rajon për ta futur thikën në të”, iu tha Erdogan anëtarëve të partisë së tij në qytetin lindor turk të Erzurum.

“Ne nuk pendohemi çfarë kemi bërë në të kaluarën. Por pasi që rrethanat kanë ndryshuar dhe Qeveria Rajonale Kurde, të cilës ne i patëm ofruar gjithë mbështetjen, mori hapa kundër nesh, duhet të paguajë çmimin”, tha ai, transmeton Express.

Turqia vazhdimisht ka kërcënuar me sanksione ekonomike, duke shkurtuar qasjen e tyre kryesore në tregjet ndërkombëtare, dhe ka mbajtur ushtrime të përbashkëta ushtarake me trupat irakiane në kufi.

Megjithatë, pasi Erdogan tha se kurdët e Irakut do të mbesin të uritur nëse Ankaraja vendosë sanksione, ai tha gjithashtu se këto sanksione nuk do t’i targetonin civilët por ata të cilët e organizuan referendumin.