Erdogan viziton Bosnjën, shkon te varri i Izetbegoviqit

Erdogan viziton Bosnjën, shkon te varri i Izetbegoviqit

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, është duke realizuar vizitë një ditore në Bosnjë e Hercegovinë, përcjellë Insajderi.com.

Erdogan ka vizituar Varrezat e Dëshmorëve të Kovaçit në Sarajevë, ku vendosi edhe lule në varrin e presidentit të parë të Bosnjë dhe Hercegovinës, Alija Izetbegoviq, raporton Anadolu Agency.

Në shoqërimin e delegacionit turk ishte edhe një anëtar i Presidencës së BeH-së, Shefik Xhaferoviq dhe Reis-ul-ulemaja i Bashkësisë Islame në BeH, Hussein ef. Kavazoviq.

Gjatë kësaj vizite, Erdogan fali namazin e xhumasë në Xhaminë e Bashçarshisë, e cila ka zbukuruar bërthamën e vjetër të Sarajevës që prej shekullit të 16-të dhe është restauruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve të Republikës së Turqisë.

Erdogan sot do të takohet me kryesuesit dhe anëtarët e presidencës së BeH-së, Zheljko Komshiq, Shefik Xhaferoviq, si dhe Milorad Dodik, ku është paralajmëruar edhe një konferencë për media pas takimit.

Pas Bosnjë e Hercegovinës, Erdogan do të vizitojë edhe Malin e Zi. /Insajderi.com