Erdogani kërcënon: Do t’i hap dyert e Evropës për miliona refugjatë

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan ka kërcënuar se do t’i hapë dyert e Evropës për miliona refugjatë si përgjigje për atë se evropianët po e kritikojnë për ofensivën turke të nisur në verilindje të Sirisë kundër luftëtarëve kurdë.

Erdogani kërcënon: Do t’i hap dyert e Evropës për miliona refugjatë

“O Bashkimi Evropian, ejani në veti. Përsëris, nëse përpiqeni ta prezantoni operacionin tonë si invadim, do t’i hapim dyert dhe do t’ju dërgojmë 3,6 milionë migrantë”, ka thënë Erdogan në fjalimin e tij në Ankara.

Në Turqi gjenden 3,6 milionë refugjatë sirianë. Rrjedha e migrantëve nga Turqia kah Evropa në mënyrë të dukshëm ka rënë pas marrëveshjes së arritur në vitin 2016 në mes të Ankarasë dhe BE.

Vendet evropiane kanë kritikuar ashpër operacionin të cilin dje e ka nisur Turqia në verilindje të Sirisë kundër luftëtarëve kurdë të cilët Ankaraja i konsideron terroristë, por të cilët i përkrahë Perëndimi sepse i konsiderojnë si grusht goditës në luftë kundër ekstremistëve të ashtuquajturit Shtetit Islamik.

“Kurrë nuk keni qenë të sinqertë. Tani thonë se do t’i bllokojnë 3 miliardë euro (të premtuar për Turqinë në kuadër të marrëveshjes për migrantë). A e keni plotësuar premtimin të cilin na keni dhënë? Jo!”, ka thënë ai në një mesazh dërguar evropianëve.

Erdogan ka thënë se Turqia nuk është drejtuar kundër “kurdëve në përgjithësi”, duke pretenduar se caku i ofensivës janë luftëtarët kurdë.

“Ajo çfarë po përpiqemi të bëjmë është që pengojmë krijimin e entitetit terrorist në kufirin tonë jugor”, ka thënë Erdogan./Insajderi.com.