Eros Grezda është zyrtarisht futbollisti më i ri i skuadrës së Osijek. Futbollisti i kombëtares shqiptare largohet nga Lokomotiva e Zagrebit pas 2 sezonesh për të nisur një aventurë të re, sërish në Kroaci por këtë herë të Osijek, me drejtuesit që po synojnë të përforcojnë skuadrën për të rivalizuar për pozicionet e para në renditje në kampionat.
Në sezonin e ardhshëm Osijek do të marr pjesë në Europa League pasi u rendit në vend të katërt në kampionat. 22-vjeçari do të ketë mundësi të tregoj potencialin e tij edhe në arenën ndërkombëtare.
Palët prej disa ditësh ishin në bisedime, por marrëveshja u konkretizua vetëm sot. Nëpërmjet një fotoje të shpërndar në rrjetet sociale Grezda konfirmoi transferimin te Osijek.
Detajet e këtij transferimi ende nuk dihen për mediat, por me siguri lojtari do të ketë firmosur një kontratë afatgjate.
Në dy sezone mesfushori i kombëtares shqiptare ka grumbulluar 72 ndeshje dhe 15 gola në të gjitha kompeticionet me Lokomotivën e Zagrebit. Më herët në karrierën e tij 22-vjeçari është aktivizuar në kampionatin slloven te Zavrč dhe Aluminij./Telesport