Eskalon një koncert në Pakistan, qytetarët futen me bileta të rrejshme

Eskalon një koncert në Pakistan, qytetarët futen me bileta të rrejshme

Një festival muzikor në kryeqytetin pakistanez, Islamabad, duhej të ndalohej, pasi u vërshua nga qindra persona që posedonin bileta të rreme, kanë thënë organizatorët.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, e gjitha kjo kishte ndodhur të shtunën në Festivalin Solis, teksa personat kishin thyer edhe barrikadat për të hyrë atje.

Raportohet se shumë prej tyre zunë vend në zonën VIP, por që më pas u shemb si rezultat i mbipopullimit – ku janë shkaktuar edhe lëndime tek frekuentuesit.

Mirëpo, kjo nuk është e gjitha, disa gra akuzuan që janë ngacmuar seksualisht në atë gjendje kaosi.

Dhjetëra prej tyre kanë akuzuar Festivalin Solis për planifikim të dobët dhe menaxhim të sigurisë, madje kanë kërkuar edhe llogari nga organizatorët, por këta të fundit janë shprehur se e kanë dhënë më të mirën prej tyre.

“Ne e kemi planifikuar vendin dhe sigurinë tonë bazuar në numrin e biletave të shitura, megjithatë e kemi nënvlerësuar vëllimin e plotë të biletave të rreme, të shitura në mënyrë të paligjshme”, kanë deklaruar organizatorët nga Festivali Solis në Instagram.

“Ju kërkojmë ndjesë që kjo përvojë u shkatërrua nga të tjerët, nuk është dashur të rrezikonim sigurinë tuaj, dhe duhet të merrnim masa ta ndalonim menjëherë ngjarjen”, kanë shtuar ndër tjerash ata.