Kryeministri etiopian Abiy Ahmed u ka dhënë forcave në rajonin verior Tigray një ultimatum tre-ditor për t’u dorëzuar para se ushtria të fillojë një ofensivë në kryeqytetin rajonal të mbajtur nga rebelët Mekelle, transmeton Insajderi.
“Ne ju nxisim të dorëzoheni paqësisht brenda 72 orësh, duke njohur që jeni në pikën pa kthim”, tha Abiy në një mesazh në Tëitter të dielën në mbrëmje.
Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga Fronti i Çlirimit të Popullit Tigray (TPLF), i cili sundon Tigray, raporton Al Jazeera.
Deklarata e Abiy erdhi disa orë pasi një zëdhënës ushtarak etiopian tha se ushtria ka në plan të rrethojë Mekelle me tanke dhe mund ta sulmojë atë me artileri për t’i dhënë fund një lufte gati tre javore, duke u bërë thirrje civilëve të “shpëtojnë veten”.
Zëdhënësi ushtarak, koloneli Dejene Tsegaye, i tha Korporatës së Transmetimit të Etiopisë, faza tjetër e operacionit ishte “rrethimi i Mekelle duke përdorur tanke”.
“Ne duam t’i dërgojmë një mesazh publikut në Mekelle për të shpëtuar veten nga çdo sulm artilerie dhe për t’u çliruar nga junta … Pas kësaj, nuk do të ketë mëshirë”, tha Tsegaye. /Insajderi.com