Euro bëhet monedha e preferuar e kursimtarëve

Euro bëhet monedha e preferuar e kursimtarëve

Depozitat në muajin qershor shënuan një rritje të lehtë, pas një rënieje prej tre muajsh radhazi.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në fund të muajit qershor arriti në 994.4 miliardë lekë. Në krahasim me muajin e mëparshëm, kursimet e bizneseve dhe individëve u rritën fare lehtë me 0.03 %.

Me bazë vjetore (qershor 2019/qershor 2018), depozitat janë rritur me 2.1%, ku efektin e kanë dhënë tërësisht kursimet në valutë që u zgjeruan me rreth 4%, ndërsa në monedhën vendasi rritja është gati zero.

Në fund të muajit qershor, kursimet në valutë përbënin 53.8%% të totalit, nga 52.7% që ishin të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Që prej dhjetorit të vitit 2015, kur kursimet në valutë i kaluan për herë të parë ato në lekë, euro ka qenë një monedhë e preferuar për depozituesit.
Nga ana tjetër, rënia e interesave të depozitave në lekë bëri që monedha vendase të mos ishte e preferuar për kursimtarët.

Normat e interesit të depozitave në lekë kanë qenë në tendencë uljeje që nga fundi i 2011-s, si rrjedhojë e politikës lehtësuese monetare të Bankës së Shqipërisë, e cila, në përpjekje për të nxitur ekonominë, uli normën bazë 5.25% në 1% aktualisht. Sot, kthimi për investimin e kursimeve me afat maturimi 12 mujor është më pak se 1%. Ekspertët e bankave kanë pohuar se diferencat e ulëta të interesit mes depozitave në euro dhe lekë nuk ka nxitur më individët që të konvertojnë kursimet e tyre në monedhën vendase, por preferojnë t’i mbajnë në valutë, pasi ajo përceptohet dhe si më e sigurt.