Everton ka rënë dakord për një transferim prej 25 milionë funteve plus bonuse për mbrojtësin qendror të Norwich City, Ben Godfrey, transmeton Insajderi.
Menaxheri i Everton, italiani Carlo Ancelotti dëshiron të rrisë opsionet e tij në mbrojtje pas dëmtimeve të Mason Holgate dhe Jarrad Branthwaite, raporton BBC Sport.
Mbrojtësi anglez që aktivizohet për kombëtaren angleze U-21, gjatë 24 orëve të ardhshme pritet t’i kryejë vizitat mjekësore me klubin nga Liverpool, dhe nuk pritet të ketë probleme.
Godfrey u bashkua me Norwich në verën e vitit 2016 nga York City për 150,000 funte, ndërsa luajti një rol kryesor në ngjitjen e Norwich në Premier League në edicionin 2018-2019.
Duhet thënë se skuadra e Ancelottit, edicionin e ri në Premier League e ka filluar në mënyrën më të mirë të mundshme me katër fitore në katër ndeshjet e para. /Insajderi.com