Evropa nuk i ndalon termocentralet e reja, njësia e re e termocentralit nga thëngjilli në Poloni fillon prodhimin

Evropa nuk i ndalon termocentralet e reja, njësia e re e termocentralit nga thëngjilli në Poloni fillon prodhimin

Njësia 6 e termocentralit në Opole në Poloni prej 900 megavatësh, ka filluar prodhimin e energjisë elektrike. Opole do të jetë termocentrali i tretë më i madh në Poloni, në vendin anëtar të Bashkimit Evropian.

Ky termocentral është ndërtuar nga GE Steam Power, PGE (kompania shtetërore energjetike e Polonisë) dhe partnerët tjerë në konsorciumin e udhëhequr nga General Electric.

Por, për të siguruar të ardhmën energjetike dhe furnizimin e rregullt me rrymë, planet e Polonisë për ndërtimin e termocentraleve nuk ndalin këtu. Polonia ka planifikuar të ndërtojë kapacitete prej 11,300 megavatëve të prodhimit të rrymës nga qymyri deri në vitin 2020. Pesë njësi dhe / ose termocentrale të reja në Poloni janë duke u ndërtuar dhe / ose planifikuar për momentin.

Opole është projekti kyc i së ardhmës energjetike të Polonisë, duke qenë se edhe kërkesa për energji në këtë vend pritet të rritet për 40% deri në vitin 2040. Përvec të mirave mjedisore, që krijohen nga zëvendësimi i termocentraleve të vjetra me të riun, termocentrali i ri në Poloni është më se i nevojshëm për të përkrahur zhvillimin ekonomik dhe sigurinë energjetike të vendit, u tha gjatë inaugurimit.

Përvec Polonisë, edhe Greqia pritet që së shpejti të përfundojë projektin e ri të prodhimit të rrymës nga qymyri. Mbi 700 milion euro të bankës Gjermane KfW janë dedikuar për përfundimin e ndërtimit të termocentralit të ri në Greqi, Ptolemiada.

Në rastin e termocentralit Ptolemiada, përvec ndërtimit brenda kufjijve të Bashkimit Evropian, ai edhe po ndërtohet nga fonde Evropiane, deri sa në vendet tjera termocentralet kryesisht financohen nga Kina dhe Japonia.

Termocentralet në Greqi dhe Poloni nuk janë të vetmet që po ndërtohen në Bashkimin Evropian për momentin. Një njësi e re në Rovinari të Rumanisë tani më është projekt prioritar i qeverisë së këtij vendi. Termocentrali do të ndërtohet në partneritet me investitor nga Kina.

Ndryshe, përvec termocentraleve në Bashkimin Evropian, edhe vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë ndaluar së ndërtuari dhe planifikuari termocentrale nga thëngjilli.

Serbia ka planifikuar ndërtim të kapaciteteve prej 2500 megavatësh për prodhimin e rrymës nga qymyri. Përvec termocentraleve, Serbia ka planifikuar edhe një numër investimesh në zgjerimin e minierave të thëngjillit dhe në projekte tjera transportimi dhe tregëtimi me thëngjill.

Mediat kanë raportuar se përmes këtyre termocentraleve, Serbia mëton të fitojë pozitën e liderit energjetik në rajon dhe të eksportojë rrymën e prodhuar edhe në Evropë, tani më lehtë, përmes linjës direkte nënujore të transmisionit në mes të Malit të Zi dhe Italisë.

Pas Serbisë, Bosnia dhe Hercegovina rradhitet e dyta, me rreth 2450 megavat të planifikuara deri sa Sllovenia, gjithashtu anëtare në Bashkimin Evropian, termocentralin e fundit në Sostanj e ka inauguruar në vitin 2016.