Triumfi i Majlinda Kelmendit në Lojërat Olimpike që po mbahen në Ri de Janeiro ka rritur interesimin e brazilianëve dhe medieve të këtij shteti për sportisten më të suksesshme të Kosovës.
Kanali i famshëm televiziv nga Brazili, Sport TV ka qëndruar në Kosovë dy ditët e fundit. Ata kanë intervistuar familjen e kampiones së parë olimpike të Kosovës në pjesëmarrjen e parë të shtetit më të ri evropian në Lojërat Olimpike.
Babai i Majlindës, Ismeti, thotë me modesti se pret që të dielën pritja e Majlindës në Kosovë të jetë si një “karnaval i vogël”.
“Fitorja e saj ishte shumë e rëndësishme për në dhe për të gjithë vendin. Si komb, ne do të festojmë triumfin e Majlindës dhe të dielën do të kemi një karnaval të vogël këtu. Ne do të festojmë sikur të ishte një karnaval”, tha për mediet braziliane, babai i xhudistët, Ismet Kelmendi, transmeton Insajderi.
Edhe motra e vogël e Majlinda Kelmendit ka folur për Sport TV, për të cilët ka rrëfyer emocionet e ditës së triumfit të Kelmendit në Rio. Ajo ka thënë se “meçi final i Majlindës ka qenë shumë stresues dhe shumë emocionues”.
Kelmendi pritet të mbërrijë të dielën në Kosovë, derisa ministria e Sportit ka njoftuar për organizimin e një pritjeje “madhështore” për xhudistin. Ajo pritet të vijë me një autobus të hapur nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari”, teksa pritet të prezantohet në sheshet e Prishtinës.
Kelmendi është medalistja e parë e Kosovës në Lojërat Olimpike, në pjesëmarrjen e parë të Kosovës në këtë ngjarje të madhe sportive. /Insajderi.com