Kërcënimet me jetë, po shndërrohen në një fenomen tepër shqetësues në futbollin anglez. Pas gjyqtarit Dean, trajnerit të Newcastle, Bruce, në vetëm pak ditë, pre e kërcënimeve ka rënë edhe tekniku i Arsenalit, Mikel Arteta, i cili e pranon se familja e tij është kërcënuar, njofton Insajderi.
Pas humbjeve me Wolves dhe Aston Villën, tifozët e “topçinjve” nuk janë përmbajtur duke kërcënuar me jetë familjarët e trajnerit Arteta. Kërcënimet kanë ardhur nëpërmjet mesazheve online.
“Unë mendoj se nëse do të lexonim gjithçka që është shkruar për ne, atëherë do të duhet të qëndronim shumë ditë në shtrat. Të gjithë ne jemi të ekspozuar ndaj kërcënimeve si pasojë e punës sonë dhe kjo është arsyeja se pse unë preferoj të mos lexoj shumë komente”, deklaron spanjolli në konferencën për shtyp para takimit në kampionat me Leeds. /Insajderi.com