Eksperti kryesor amerikan i sëmundjeve infektive, Anthony Fauci, tha të dielën se e mbështetë idenë që vaksinimi antiCOVID të jetë i detyrueshëm për nxënësit, transmeton Shqip.com.
Sipas tij, varianti Delta i Coronavirusit po përhapet shpejtë në Amerikë.
“Unë besoj se vaksinimi i detyrueshëm i fëmijëve të shkollës është një ide e mirë. Ne e kemi bërë këtë për dekada, kur bëhet fjalë për vaksinimin kundër poliomielitit, lisë, shytave, rubeolës, hepatitit”, deklaroi Fauci për CNN.
Fëmijët nën moshën 12-vjeçare nuk mund të vaksinohen në SHBA, por që sipas Faucit, të dhëna të mjaftueshme do të mblidhen deri në tetor që Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave të marrë në konsideratë nëse vaksina është e sigurt edhe për fëmijët nën këtë moshë.
“Unë besoj se ekziston një shans i vërtetë që vaksinat nga Pfizer/BioNTech dhe Moderna të marrin miratimin e FDA për fëmijët nën 12-vjeç, para fillimit të sezonit të festave”, tha më tej Fauci.
Kurse, shkollat do të rihapen në vjeshtë teksa rritja e numrit të rasteve me COVID-19 është duke shkaktuar vonesa të konsiderueshme.
Tashmë dhjetëra shkolla në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtyrë fillimin e vitit të ri shkollor ose disa që janë mbyllur në gusht./Insajderi.com