FC Liqeni nga Drenasi është fitues i Kupës së Kosovës në futsall

FC Liqeni nga Drenasi është fitues i Kupës së Kosovës në futsall

FC Liqeni nga Drenasi është fitues i Kupës së Kosovës në futsall, njofton Insajderi.

Në ndeshjen finale të kësaj gare, klubi i themeluar vetëm para dy vitesh, ka arritur ta mposhtë klubin gjakovar, FC Liburni, me rezultat 5:3, pas vazhdimeve dy herë nga pesë minuta, ngase ndeshja në kohën e rregullt u mbyll baras 3:3.

Më meritorët për suksesin e Liqenit ishin treshja kolumbiane: Yulian Diaz, Stiven Abril dhe Kamilo Sanchez. Ndeshja nisi mirë për Liburnin që kaloi në epërsi në minutën e dytë me golin e Halim Selmanajt, por dy minuta më pas shifrat i barazoi Stiven Abril.

Në vazhdim të pjesës së parë loja ishte krejtësisht e baraspeshuar. Pjesa e dytë nisi më mirë për skuadrën drenicase, e cila arriti që të krijojë epërsi prej dy golash nëpërmjet Kamilo Sanchez dhe Stiven Abril.

Më pas ishte Liburni që dominoi lojën dhe ishte në kërkim të barazimit, gjë të cilën edhe e arriti. Fillimisht diferencën e ngushtoi Ermir Kryeziu, derisa 8 sekonda para mbyllje së takimit Halim Selmanaj barazoi rezultatin në 3:3, për ta çuar ndeshjen në vazhdime, e ku Liqeni u tregua më i suksesshëm. Yulian Diaz shënoi për 4:3 në minutën e 45-të, derisa fitoren e Liqenit e vulosi Granit Humaj, dy minuta më vonë nga 10-metërshi.

Në fund, trofeun kapitenit të Liqenit, Dardan Topilla ia dorëzoi presidenti i FFK-së, Agim Ademi, derisa medaljet për Liqenin dhe Liburnin i ndanë sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, kryetari i Komisionit për futsall, Haki Xhemajli dhe koordinatori Arben Zhjeqi. Medaljet për gjyqtarët dhe zyrtarët e ndeshjes i ndau Komisari i Garave, Hysni Gjinovci. /Insajderi.com