FC Prishtina falënderon FFK-në dhe klubet kosovare për ndihmën e dhënë

FC Prishtina falënderon FFK-në dhe klubet kosovare për ndihmën e dhënë

Që prej kohës kur FC Prishtina, kishte udhëtuar për në Gjibraltar, por që nuk u lejua të luaj, shkaku i rasteve me coronavirus brenda klubit, shumë gjëra të pazakonta kanë ndodhur.

Fillimisht, Prishtina ishte kthyer në Kosovë dhe po bënte përpjekje për të bërë një ekip të ri me lojtarë të ekipeve tjera nga Super Liga, që të mund të udhëtonte përsëri në Gjibraltar dhe të luante kundër Lincoln.

Shumica e ekipeve nga Super Liga, i janë përgjigjur pozitivisht kërkesave të klubit të Prishtinës dhe i kanë ofruar lojtarët e tyre më të mirë, vetëm që të bëhet e mundur ndeshja në Gjibraltar.

Ekipe si Ballkani, Trepç 89’, Flamurtari, Llapi, Feronikeli e Drenica, kanë kontribuar në përbërjen e re të ekipit të Prishtinës, duke ofruar lojtarët e tyre dhe këtë gjë, sipas klubit të Prishtinës, ata nuk do ta harrojnë kurrë, pasi ata me këto veprime, i kanë ndihmuar jo vetëm Prishtinës, por edhe futbollit kosovar.

Ekipi i Prishtinës, falënderon gjithashtu edhe FFK-në, që sipas tyre, kanë ofruar gjithë kapacitetet e tyre, vetëm e vetëm që Prishtina të arrijë synimin të paraqitet në atë ndeshje. Madje, FFK-ja, e kishte ofruar trajnerin e ekipit U 19, Ramiz Krasniqi, të ushtronte rolin e trajnerit të Prishtinës për këtë takim.

Edhe pas të gjitha këtyre përpjekjeve, nuk u bë e mundur që Prishtina të luaj ndeshjen e saj, pasi edhe ekipi i ri, rezultoi se i ka tetë raste pozitive brenda saj dhe autoritetet e Gjibraltari-it, nuk lejuan që ata të shkojnë në stadium – ndërsa pritet vendimi i UEFA-s, për të kuptuar se çfarë do të ndodhë më këtë ndeshje./Insajderi.com.