FC Prishtina: Ndeshja u anulua nga autoritetet e Gjibraltarit, e jo nga UEFA

FC Prishtina: Ndeshja u anulua nga autoritetet e Gjibraltarit, e jo nga UEFA

Klubi i Prishtinës, ka lëshuar një deklaratë, përmes profilit të tyre zyrtar në Facebook, ku kanë treguar në detaje se nëpër çka ka kaluar klubi, deri në anulimin e ndeshjes.

Klubi nga kryeqyteti, vë komplet fajin tek autoritetet e Gjibraltarit, të cilët kishin urdhëruar që klubi i Prishtinës të izolohet dhe të mos lejojë të dalë nga hoteli, rrjedhimisht duke penguar shkuarjen e tyre në stadium.

FC Prishtina, po ashtu kanë shprehur dyshime me mënyrën e testimit të lojtarëve, pasi ata thonë se një lojtar që tani ka rezultuar si pozitiv, e ka kaluar virusin, para më shumë se një muaji dhe i njëjti është përfshirë në formacionin e ekipit të Prishtinës dhe për këtë, ishte e njoftuar edhe UEFA.

Shkrimi i plotë i klubit të Prishtinës:

Anulohet sërish ndeshja. Me vendimin e autoriteteve lokale të Gjibraltarit, përfundimisht ndeshja nuk do te zhvillohet.

FC Prishtina, ka qenë tërë kohën në kontakt me Delegatin e UEFA-s, autoritetet lokale dhe me selinë e UEFA-s. Nga autoritetet lokale, ekipit tonë i është kërkuar të qëndrojë në karantinë dhe të mos lëvizë në asnjë mënyrë nga hoteli, kurse UEFA nuk ka marrë një vendim sot, përderisa vetëm ka përcjell vendimin e Autoriteteve Lokale të Gjibraltarit.

FC Prishtina, ka dërguar në UEFA edhe formacionin e mundshëm startues, pjesë e të cilit kanë qenë 10 futbollistë që kanë testuar negativ dhe 1 që sot ka testuar pozitiv, por që paraprakisht e ka kaluar COVID-19, para rreth 1 muaji, duke e bërë kështu shumë të çuditshëm testimin në Gjibraltar. Klubi ka shprehur gatishmërinë në UEFA që ndeshjen ta zhvillojë edhe pa zëvendësime, përkatësisht pa përfshirjen në lojë të asnjërit prej 7 futbollisteve tjerë që testuan sot pozitiv. Të gjithë 8 futbollistët që kanë testuar pozitiv në Gjibraltar, me t’u kthyer në Kosovë, klubi do t’ i dërgojë në testim në laboratorët e licencuar nga UEFA, SynLab në Shkup, apo në Tiranë.

Skuadra kthehet sonte në Prishtinë.”, thuhet në njoftimin e klubit./Insajderi.com.