Federata Spanjolle i referohet Kosovës si territor dhe jo si shtet, reagon ish-ambasadorja Çitaku

Federata Spanjolle i referohet Kosovës si territor dhe jo si shtet, reagon ish-ambasadorja Çitaku

Njohja e shtetit të Kosovës, vazhdon të mbetet ende një tabu për shumë shtete, te cilat për arsye të ndryshme nuk kanë dhënë miratimin për njohjen e saj, njofton Insajderi.

Një ndër këto shtete është edhe Spanja, e cila gjithashtu nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Megjithatë pavarësisht kësaj, spanjollët do të përballen me “dardanët” në fund të muajit, më 31 mars, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Botërorit.

Në këtë situatë, Federata Spanjolle e Futbollit ka bërë me dije ditën e sotme, se më datën 15 mars, do të publikohet lista për lojtarët e grumbulluar për tre ndeshjet e muajit mars.

Ajo që bie menjëherë në sy në njoftimin e Federatës, është fakti se Kosovën nuk e quan shtet, por si territor. “Spanja fillon rrugëtimin për Qatar 2022 ndaj Greqisë, Gjeorgjisë dhe territorit të Kosovës”, shkruhej në njoftimin e saj në faqen zyrtare në rrjetet sociale.

Në lidhje me këtë vendim nga spanjollët, ka reaguar edhe ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ku ka shpërndarë në Twitter postimin e Federatës Spanjolle, duke shkruar: “Hmmm, të fala nga Republika e Kosovës”. /Insajderi.com