
Roger Federer sfidoi moshën e tij dhe fitoi titullin e tij të 18 “Grand Slam” në karrierë, pas një finaleje dramatike me rivalin e tij të hershëm, Rafael Nadal, në Australian Open.
Zvicerani 35-vjeçar, i cili u rikthye në fushat e lojës pas një mungese 6-mujore për arsye dëmtimi, arriti ta thyejë spanjollin në 5 sete, pas 3 orësh e 37 minutash lojë, për të gdhendur akoma më fort emrin e tij në librin e historisë së tenisit botëror. Federer nuk fitonte një turne “Grand Slam” që nga viti 2012, kur triumfoi në Wimbledon dhe suksesi në Melbërn i këij viti u përkufizua si një përrallë e vërtetë për të.
“Duhet të rishihja edhe njëherë momentet më të mira të ndeshjes për të kuptuar se sa e rivalizuar ishte kjo finale, duke përjetuar sërish emocione. Ajo që më bën të lumtur është që të shoh miqtë dhe familjarët e mi të gëzojnë. Fitova një tjetër “Grand Slam”, në mënyrë të veçantë Australian Open, dhe për mua është si një përrallë, duke parë mënyrën sesi u ktheva në fushën e lojës”, tha Federer.
Roger Federer që kishte zbritur në vendin e 17 në renditjen ATP, pas triumfit në Melbërn fitoi 7 pozicione për të qenë sërish pjesë e dhjetëshes më të mirë të botës. Po kështu, edhe rivali i tij Nadal fitoi pozicione, duke u ngjitur nga vendi i 9 në të 6. Ndërkohë që në krye vazhdon të jetë Andy Murray, i ndjekur nga Novak Djokovic dhe Stanislav Wawrinka, me këtë të fundit që parakaloi kanadezin Milos Raonic.