Fëmijët e imigrantëve akuzojnë rojet kufitare të ShBA-së për sulme seksuale

Fëmijët e imigrantëve akuzojnë rojet kufitare të ShBA-së për sulme seksuale

Fëmijët e imigrantëve dhe azilkërkuesve në Shtetet e Bashkuara i kanë akuzuar agjentët kufitarë të këtij shteti për sulme seksuale dhe hakmarrje kundër atyre që ankohen për kushtet e hapësirave ku po mbahen të mbyllur.

Një vajzë 15-vjeçare nga Hondurasi u ka thënë hetuesve qeveritarë se një zyrtar ia ka future dorën nën rrobat e brendshme të pjesës së sipërme të trupit, ia ka lëshuar poshtë veshjet e brendshme dhe e ka prekur në vende intime gjatë një kontrolli të sigurisë. Ajo ka thënë se ky zyrtar fliste në anglisht me zyrtarë tjerë dhe qeshte.

Kjo ishte vetëm njëri nga rrëfimet e shumta kundër agjentëve në Yuma të Arizonas, i cili është përfshirë në një raport të hollësishëm për fëmijët e imigrantëve dhe trajtimin e tyre nga zyrtarët e sigurisë.

Një djalë 16-vjeçar nga Guatemala tha se agjentët kufitarë amerikanë ua morën mbulojën dhe shtrojën pasi u ankuan për ushqimin që u ishte dhënë dhe i detyruan ata të shtrihen në dyshemenë e betontë.

Ankesat e imigrantëve për trajtimin e tyre në zonën kufitare vijnë pas një raporti të inspektorit të përgjithshëm të Departamentit për Siguri të Atdheut, sipas të cilit kushtet e qendrave të ndalimit për imigrantë nuk i plotësojnë standardet e pastërtisë dhe hapësirës së nevojshme për numrin e madh të njerëzve që ndodhen në to, shkruan “Independent”