“Diego Maradona na lë një trashëgimi të paharrueshme të futbollit dhe në të njëjtën kohë, me personin që ai ishte, i ka ndryshuar jetën shumë njerëzve”. Ronaldo Luis Nazario de Lima i mjaftojnë pak fjalë që të shënojë profilin teknik dhe atë human të Maradonës, njofton Insajderi.
“Fenomeni” ishte mik i Maradonës, mes të cilëve ekzistonte një lidhje e fortë. “Ishte një person fantastik, i lumtur, shpërndante energji pozitive kudo. Dhe për sa i përket jetës së tij private, gjithkush bën me atë çfarë të dojë, ndaj nuk duhet gjykuar për atë”, ishin fjalët e ish anëtarit të Inter, Milan dhe Real Madrid.
Gjithashtu, Ronaldo tregon edhe arsyen pse Maradona mbante dy ora në duart e tij: “Po, ky detaj më kishte rënë edhe mua në sy dhe kur e pyeta në një darkë mes nesh, ai zbuloi se të dyja ia kishte dhuruar vajza dhe nuk i hiqte nga dora. Por, kur përfunduam darkën, ai më dhuroi njërën prej tyre. Unë nuk doja ta pranoja, por ai u tërbua në sekondë dhe m’u desh ta merrja”, ishin fjalët e brazilianit Ronaldo për legjendën argjentinase. /Insajderi.com