Të martën, Superliga e Kosovës në futboll ka zhvilluar ndeshjen e parë të javës së 31-të kampionale, ku në Drenas mysafirët nga Lipjani kanë shkaktuar befasi, duke mposhtur nikoqirët e Feronikelit me shifrat minimale, njofton Insajderi.
Pjesa e parë i takoi vendasve, duke dominuar ndeshjen dhe duke krijuar disa raste të mira shënimi, por pa arritur të shënonin në portën kundërshtare. Vlen të veçohen rastet e Marko Simonovskit dhe Yll Hoxhës, por pa arritur të ndryshonin në rezultat. Me rezultat të bardhë u mbyllën 45’ minutat e parë të ndeshjes. Goli i vetëm në takim do të vinte në fraksionin e dytë të ndeshjes.
Pjesa e dytë filloi e baraspeshuar nga të dyja ekipet, ku mysafirët nuk lejuan që nikoqirët të diktonin edhe pjesën e dytë, njëjtë sikur të parën.
Gjatë pjesës së dytë, të dyja ekipet u munduan të shënonin, por pa sukses. Kur pritej që ndeshja të mbyllej në barazim, në skenë doli Bahtiri, i cili Arbërinë e kaloi në epërsi në minutën e 89-të të ndeshjes. Ky doli të ishte goli i vetëm në këtë sfidë, duke bërë që ekipi nga Lipjani të dilte me pikë të plota nga stadium “Rexhep Rexhepi”.
Me këto tre pikë, Arbëria shkon në kuotën e 33 pikëve në vendin e nëntë, dukë hapur seriozisht luftën për ekipet që luftojnë për mbijetesë. Feronikeli në anën tjetër, mbetet në vendin e gjashtë me 35 pikë. /Insajderi.com