Javë më parë u raportua se Feronikeli është dënuar nga FIFA për bllokim të merkatos, pasi humbi gjyqin kundër Bedri Grecës, shkruan Insajderi.
Pas ndarjes së drejtësisë, klubi nga Drenasi e kishte shpërfillur vendimin e FIFA-s për të paguar shumën e borxheve ndaj tij.
Me këtë rast edhe kishte ardhur dënimi nga shtëpia më e madhe e futbollit në botë për klubin nga Drenasi.
Vendimi i FIFA-s, ngjalli pakënaqësi të shumta, si brenda, ashtu edhe jashtë skuadrës.
Tifozët e këtij klubi “Tigrat”, përmes rrjeteve sociale kishin shprehur pakënaqësit e tyre në lidhje me këtë çështje.
Ata ndër tjerash kërkuan edhe shkarkimin e drejtorit sportiv, Ragip Veselit, si dhe presidentit të klubit, Naser Ramaj.
Kërkesa e tyre bëri jehonë tek të dy drejtuesit e klubit.
Sipas burimeve të përafërta të Insajderi.com, presidenti i klubit, Naser Ramaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit te klubit.
Ai është larguar nga ky post pa i larë borxhet e klubit, me këtë rast, Feronikelit rrezikon të bie në ligën e tretë.
I vetmi shpëtim për këtë skuadër është nëse gjatë afatit të caktuar zyrtarizojnë presidentin e ri.
Naser Ramaj mori kryesinë e skuadrës nga Drenasi që nga viti 2017, derisa nën menaxhimin e tij, Feronikeli arriti të shpallej Kampion i Kosovës në vitin 2019./Insajderi.com