Ky festival synon të promovojë produktet bujqësore dhe kulturën krushjane të punës. Organizatorët thonë se përveç aktiviteteve të shumta, vizitorët do të kenë mundësi të blejnë produkte me çmime promovuese.
Banorët e Krushës së Madhe dhe rrethinës, që “bukën e nxjerrin nga toka”, këtë të shtunë kanë festë, kur edhe fillon “Agrofesta”.
Selami Hoti, koordinator i festivalit tha se qëllimi i Agrofestës është promovimi i produktet bujqësore. Ai i tha Radio Kosovë se në kuadër të festivalit do të organizohen aktivitete të shumta.
“Është një ditë e gëzune për të gjithë fermerët të cilët janë prodhues të prodhimeve të ndryshme të perimkulturës. Agrofesta do të hapet në ora 11, me performancën e fëmijëve të shkollës. Pastaj do të vazhdohet me Agrotregun, ku fermerët do të mund t’i ekspozojnë produktet e tyre të cilat vizitorët do të mund t’i blejnë me çmime promocionale”, tha ai.
Vizitorët e festivalit, perveç blerjes së produkteve bujqësore, do të kenë mundësi të shohin edhe përgatitjen e turshive dhe ajvarit nga gratë krushjane. Fahrije Hoti, drejtoreshë e “Kooperatiës Krusha”, tregon se këtë do ta bëjnë edhe gratë që punojnë në këtë kooperativë.
“Gratë e tona tradicionalisht marrin pjesë dhe përgatisin turshitë dhe ajvarin në fushë të hapur. Kështu ne i promovojmë produktet tona dhe i ofrojmë konsumatorëve ato që i bëjmë në vazhdimësi në kooperativë. I kisha lutur të gjithë kosovarët që të marrin rrugën drejt Krushës dhe të vijnë këtu sepse kanë cka shohin”, tha ajo.
Në edicionin e gjashtë të festivalit tashmë tradicional të perimekulturës “Agrofesta”, do të mbahet edhe një koncert, ku do të performojnë reperët kosovarë MC Kresha dhe Lyrical Son.