
Përmes një letre në tre vjetorin e vdekjes, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës e ka kujtuar Agim Malokun.
Ky është shkrimi i plotë:
Në shenjë përkujtimi – 3 vite pa Legjendën e futbollit prizrenas
Sot bëhen tri vite nga ndarja fizike me Legjendën e futbollit prizrenas, Agim Maloku. Këto tri vite kanë qenë të vështira jo vetëm për familjen, por edhe për ne miqtë e tij të ngushtë dhe për Federatën e Futbollit të Kosovës në përgjithësi.
Vlerat e tij, qoftë si futbollist e qoftë si drejtues i Lidhjes Rajonale në Prizren, por edhe si anëtar i KE të FFK-së ishin të jashtëzakonshme.
Agimi ishte vizionar, me vullnet të madh për punë dhe i vendosur për progres të futbollit. Si anëtar i KE të FFK-së ishte po aq entuziast sikur në vitet e tij të hershme të rinisë kur e kishte bartur me besnikëri e krenari fanellën e Lirisë.
Karriera e tij e suksesshme si futbollist, por edhe përkushtimi dhe kontributi i tij i çmuar në futboll bëri që jetë mik i respektuar dhe i vlerësuar kudo.
Së bashku me Adashin, siç e thërrisnim njëri-tjetrin nga dashamirësia, e kishim fatin që të ishim pjesë e misionit të vështirë por frytdhënës të anëtarësimit në UEFA e FIFA.
Iu gëzuam bashkërisht këtyre dy të arriturave historike, me shpresë e optimizëm të madh se do të kishim edhe shumë festime tjera, por ja që jeta ndonjëherë është e pamëshirshme dhe na ndanë nga miqtë e më të dashurit tanë shumë më herët se sa e mendojmë.
Në këtë përvjetor të tretë të ndarjes nga ne e kujtojmë me pietet dhe respekt maksimal për tërë atë çfarë i dha futbollit të Kosovës.
Gjithmonë në kujtimet tona Adash!
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së