FFK mban takim pas humbjes së mbrëmshme – të pranishëm edhe lojtarët

FFK mban takim pas humbjes së mbrëmshme – të pranishëm edhe lojtarët

Federata e Futbollit e Kosovës, menjëherë pas humbjes së mbrëmshme ndaj Maqedonisë, ka mbajtur një takim me të gjithë drejtuesit si dhe lojtarët e përfaqësueses, në prag të dy ndeshjeve që Kosova i zhvillon ndaj Sllovenisë dhe Greqisë.

Përkundër humbjes së dhimbshme në ndeshjen e “Play-Off”-it për Euro 2020, të zhvilluar mbrëmë, ekipi kombëtar i Kosovës është i gatshëm për të vazhduar tutje, në tentim që ëndrrën e ndërprerë ta arrijë sa më shpejtë.

Në këtë aspekt, Presidenti i Federatës, Agim Ademi pati sot takime të veçanta, fillimisht me futbollistët e pastaj me shtabin teknik të ekipit, e ku i pranishëm ishte edhe nënkryetari Bakir Burri.

Në takim me lojtarët, Presidenti Ademi i falënderoi ata për kontributin që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për ekipin kombëtar, duke shfaqur besimin e fuqishëm të tij, Komitetit Ekzekutiv por edhe të gjithë Federatës së Futbollit kundrejt ekipit. Njëherësh Presidenti Ademi kërkoi nga futbollistët që të vazhdojnë të jenë të bashkuar dhe të luajnë me përkushtim e përgjegjësi më të madhe sepse e përfaqësojnë shtetin tonë, që u krijua me sakrificë dhe mund të madh, prandaj edhe duhet ta ruajnë dhe ta prezantojnë atë me dinjitet e përgjegjësi, duke mos u ndalur asnjëherë së luftuari për të arritur ëndrrën tonë të përbashkët.

Po ashtu, Presidenti Ademi u shpreh në mbrojtjen e të gjithë atyre futbollistëve që nuk kanë mundur të jenë kësaj radhe me ekipin, edhe pse FFK ka qenë shumë e përkushtuar, duke mos kursyer asgjë për t’i sjellë ata në Kosovë.”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të FFK-së./Insajderi.com.