Federata e Hendbollit të Kosovës, është vlerësuar lartë për organizimin e një tjetër ngjarjeje ndërkombëtare, shkruan Insajderi.
Javën e kaluar në Prishtinë u mbajt turneu i grupit A të fazës së parë kualifikuese për EURO 2022 në kategorinë e femrave.
Në kryeqytet qëndruan ekipet kombëtare të Portugalisë, Luksemburgut e Qipros.
Organizimi i bërë nga FHK-ja është vlerësuar lartë nga ekipet pjesëmarrëse.
Në adresë të kësaj federate, ka ardhur një letër falenderimi nga Federata e Hendbollit të Portugalisë dhe Qipros.
Portugezët kanë falenderuar FHK-në për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe për organizimin shembullor, ndërsa qipriotët e kanë vlerësuar për mikpritjen dhe për organizimin e ngjarjes.
Kosova nuk arriti të kualifikohej në fazën tjetër kualifikuese për EURO 2022, pasi doli e dyta në grupin e saj./insajderi.com