“Fiati polak” synon rekordin e Guinnesit

“Fiati polak” synon rekordin e Guinnesit

Ta pasionuarit pas modelit “126” të Fiatit, në festivalin e 14-të kushtuar këtij automobili në Poloni, tentuan të thyejnë rekordin e Guinnesit.

Festivali që mbahet në Sochaczew, bëri që rrugët e ngushta të qytetit, të vërshohen nga pronarët të cilët kishin ardhur me veturat e tyre nga pjesët më të ndryshme të Evropës.

Organizatori tha se auto-kolona e cila defiloi në qytet, ishte përbërë nga 417 vetura të modelit dikur shumë të popullarizuar, ndërkohë që komisioni i themeluar, do të duhet të përcaktojë nëse vallë bëhet fjalë për një rekord Guinnes.

Përkundër marketingut të mirë që kishte, modeli 126 i Fiatit, asnjëherë nuk arriti famën e paraardhësit të tij, modelit Fiat 500, shkruan Anadolu Agency.

Sipas vlerësimeve, në Itali, Poloni dhe në ish Jugosllavi janë prodhuar gjithsej rreth pesë milionë vetura, model ky që akoma pushton zemrat e të pasionuarve pas këtij “old tajmeri”.