Fitore e madhe në Drenas, Prishtina mban gjallë shpresat për Evropë

Fitore e madhe në Drenas, Prishtina mban gjallë shpresat për Evropë

Skuadra e Prishtinës e ka mposhtur me rezultat 2 me 1 Ferronikelin në ndeshjen e xhiros së 31-të të Superligës së Kosovës.

Në takimin e zhvilluar në Drenas, e para që kaloi në epërsi ishte skuadra e Prishtinës nëpërmjet Basit Khalid. Sulmuesi afrikan shënoi në minutën e 22-të të takimit, raporton Insajderi.

Ferronikeli barazoi em anë të ish-futbollistit të Prishtinës Behar Maliqit në minutën e 44-të. Por, Prishtina e riktheu epërsinë në 2 me 1, me golin e shënuar nga Guthier Mankenda në minutën e 66-të.

Me këtë fitore, Prishtina mban pozitën e dytë në tabelë me 66 pikë, ndërsa Ferronikeli mbetet pa gjasa për kualifikim në garat evropiane, pasi pozicionohet në vendin e katërt me 61 pikë.

Për t’u kualifikuar në Evropë, Prishtina duhet të mbajë pozitën e dytë deri në fund të kampionatit dhe të shpresojë në humbjen e Llapit në finalen e Kupës së Kosovës. Nëse Llapi triumfon në kupë, atëherë Prishtina nuk do të mund të shkojë në Evropë as nëpërmjet vendit të dytë. /Insajderi.com