19-vjeçari me inicialet SH.B, i cili ishte rrahur brutalisht nga një zyrtar policor në Mitrovicë, ka treguar se si ka ndodhur e gjithë ngjarja, njofton Insajderi.
Ai tha se të premten rreth orës 4:00 të mëngjesit (kur ka ndodhur rasti) bashkë me tre shokët e tij, kishin ndezur një zjarr afër Liqenit Akumulues në Mitrovicë dhe po bënin muhabet.
Meqë në këtë kohë kishte orë policore (nuk lejohej lëvizja), sipas tij, policia në momentin kur i kishtë vërejtur kishte shkuar për t’ua tërhequr vërejtjen.
Katër djemtë kishin nisur të largoheshin nga aty, por jo me aq shpejtësi sa u kërkua nga policia.
Kjo, sipas 19 vjeçarit është arsyeja për të cilën zyrtarët policorë nisën të ushtrojnë dhunë ndaj tyre.
“Ka dalë nga vetura njëri nga policët dhe ka nxjerrë shufrën metalike. Shokun tim e ka shqelmuar, ndërsa më pas ka ardhur në drejtim timin dhe më ka goditur në dorë. Unë e kam shtyer dhe më pas me pendrek më ka goditur disa herë në kokë”.
“Kam filluar më pas të vrapojë. Ai ka më ka ndjekur me veturë. Dhe ka dalë sërish nga vetura me shufër metalike në dorë, por unë i kam thënë ndalu sepse jam djali i rreshterit”, ka rrëfyer 19-vjeçari.
Si pasojë, djaloshi mori lëndime në kokë për të cilat më pas u trajtua në urgjencën e qytetit.
Nga aty 19 vjeçarin dhe shokët e tij policia i shoqëroi në stacion ku këtij iu hap lëndë si “pengim i personit zyrtar”, kurse polici në fjalë u suspendua për 72 orë./Insajderi.com