Flet zyrtari i PDK-së që kërcënoi Albin Kurtin, thotë se bëhet fjalë për “një reagim personal”

Flet zyrtari i PDK-së që kërcënoi Albin Kurtin, thotë se bëhet fjalë për “një reagim personal”

Një kërcënim që mori përmes rrjeteve sociale regjisori Ard Islami, e ka nxitur përfaqësuesin e Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Ilir Gashin, që ta kërcënoi Albin Kurtin, duke i thënë se do ta ketë fatin e ish-diktatorit të vrarë të Libisë, Muammar al-Gaddafit.

Duke komentuar kërcënimin ndaj Ard Islamit, Gashi kërcënoi liderin e Lëvizjes Vetëvendosje përmes një shkrimi në Facebook.

Ai tha se Albin Kurti do ta ketë fatin e ish-diktatorit të Libisë, Muammar al-Gaddafi, i cili u vra më 2011 gjatë të ashtuquajturës “Pranverë Arabe” në Libi – një lufte civile brenda shtetit afrikano-verior që rezultoi me përmbysjen e pushtetit.

Në një deklarim për Insajderin, Gashi tha se bëhet fjalë për një “reagim personal” në rrjetin social Facebook, ndonëse ai përfaqëson Partinë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Mirëpo, ai nuk u tërhoq nga kërcënimi ndaj Kurtit.

“Ka qenë një reagim personal në Facebook. S’kam çka them tjetër, nuk kisha dashur ta bëjë temë edhe më tutje”, ka thënë Gashi në një bisedë me Insajderin.

Të martën, Gashi i tha Kurtit se “nëse nuk i lidh qentë” do ta përjetoi fatin e Muammar al-Gaddafit, ish-diktatorit të Libisë që u vra më 2011 nga forcat opozitare libiane.

“Albin, lidhi qent endacak! Se për 6 muaj fatin e Gadafit e përjeton! Duhët të jesh kriminel i lindur që të kërcnosh në këtë formë akoma pa marrë pushtet!”, ka shkruar Gashi në Facebook. /Insajderi.com