Fondacioni “Golden Eagle” edhe këtë vit fillon fushatën për dhurimin e 100 bursave (Video)

Fondacioni “Golden Eagle” edhe këtë vit fillon fushatën për dhurimin e 100 bursave (Video)

Në vazhdën e aktiviteteve në të mirën e komunitetit, Fondacioni “Golden Eagle”, të shtunën fillon fushatën, gjatë së cilës do të përzgjedhen 100 studentët që do të fitojnë bursë nga ky institucion, në vitin akademik 2018 – 2019.

Lendrit  Palushi, përfaqësues i fondacionit, ka theksuar se ndihma për studentët po ndodhë për të dytën herë radhazi, duke shtuar se përfituesit potencialë do të jenë studentë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.

“Vlera mujore e një burse do të arrijë në 80 euro, derisa shuma totale do të shkojë në 72 mijë euro, e që pritet të grumbullohet për 2 muaj. Nga secili produkt i shitur i Relax, do të ndahen 5 cent, që do të destinohen për këtë fond”, ka shtuar ai.

Palushi ka thënë se përparësi, në mesin e atyre që do të përzgjedhen si përfitues të këtyre bursave, kanë studentët me nevoja të veçanta, me kushte të rënda ekonomike dhe ata që jetojnë pa prindër, derisa kriteri kryesor, sipas tij, mbetet suksesi i treguar në studime.

“Suksesi i madh i vitit akademik 2015 – 2016, me dhurimin e 100 bursave për studentë ka qenë shtytës i madh që ta përsërisim këtë fushatë, me synim që t’u dalim në ndihmë sado pak studentëve shqiptarë, e të cilët po vazhdojnë të largohen nga vendi i tyre”, ka thënë ai.

Palushi ka thënë se nga këto bursa mund të përfitojnë studentët e universiteteve publike dhe atyre private, duke shtuar se me rritjen e shitjeve do të ketë edhe rritje të numrit të bursave dhe aktiviteteve të tjera që janë në kuadër të punës që e bën Fondacioni “Golden Eagle”.

Ndryshe, Fondacioni “Golden Eagle” në vitin akademik 2015 – 2016, në bashkëpunim me kompaninë “Frutex”, kishin bërë aso kohe ndarjen e 100 bursave për studentët nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Kampanja dymujore ka grumbulluar 90 mijë euro. /Telegrafi/

Fondacioni "Golden Eagle" edhe këtë vit fillon fushatën për dhurimin e 100 bursave

Fondacioni "Golden Eagle" edhe këtë vit fillon fushatën për dhurimin e 100 bursave

Posted by Telegrafi.com on Saturday, 13 October 2018