Sonte (e enjte), Roma në “Olimpico”, pret mysafirët e Young Boys, të vlefshme për xhiron e pestë në grupin A të Ligës së Evropës, njofton Insajderi.
Para sfidës e cila fillon në orën 21:00, tekniku portugez i “verdhekuqëve”, ka folur në një konferencë për media. Fonseca foli edhe për sfidën e fundit në kampionat, ku skuadra e tij është mposhtur nga Napoli.
“Pas humbjes, si çdo herë, ne analizuam ndeshjen dhe lojtarët kuptuan se çfarë nuk bënë mirë dhe ku duhet të përmirësohemi, është normale që kjo të ndodhë”, u shpreh Fonseca për humbjen në Serie A.
Më tutje, Fonseca foli edhe për sfidën e sotme, të cilën në rast fitore, siguron vendin e parë në grup, pasi edhe në ndeshjen e parë kishin fituar italianët në Zvicër.
“Rezultati është gjithnjë e më i rëndësishëm, por performanca do të jetë gjithashtu e rëndësishme. Skuadra duhet të bëjë atë që di të bëjë, të luajë siç di, pa menduar për ndeshjen në Napoli. Ajo ka mbaruar, ne kemi përfunduar analizën e asaj që kemi bërë gabim dhe që duhet të përmirësojmë. Do të jetë një ndeshje tjetër sonte dhe duhet të luajmë për të fituar”, u shpreh qartë Fonseca, pasi sipas tij, opsion tjetër veç fitores nuk ka në këtë përballje.
Roma aktualisht kryeson grupin me 10 pikë, ndërsa Young Boys ndodhet në vendin e dytë me shtatë pikë. /Insajderi.com