Fonseca pas fitores në Europa Ligë: E rëndësishme të mos pranosh gol

Fonseca pas fitores në Europa Ligë: E rëndësishme të mos pranosh gol

Ndeshjen e mbrëmshme në kuadër të Europa Ligës, Roma ka mposhtur me rezultat të thellë 5:0 vizitorët nga Rumania, ekipin e Cluj. Pas ndeshjes, trajneri portugez i “verdhekuqve” është shprehur i kënaqur me fitoren e skuadrës së tij, mirëpo edhe me faktin e mos pranimit të golit në tre ndeshjet e fundit, njofton Insajderi.

“Është gjithmonë e rëndësishme të mos pranosh një gol. Duket një lojë e lehtë, por kjo skuadër pati rezultate të mira në Ligën e Evropës, tre herë kampione në Rumani. Hymë mirë në fushë, luajtëm një lojë serioze. Më pëlqeu pothuajse gjithçka”, tha fillimisht Fonseca.

Më tutje, vazhdon tekniku portugez, duke thënë: “Borja, Pedro dhe Miki luajtën një ndeshje të mirë. Mayoral është i ri, duhet t’i japim kohë për t’u përshtatur, por jam i lumtur që shënoi dy gola”.

Në fund, Fonseca foli edhe për mbrojtjen e ekipit, duke aluduar në atë që Roma në tre ndeshjet e fundit nuk ka pësuar gol, “skuadra është e sigurt. E rëndësishme është të ndryshosh lojtarët por jo të ndryshosh qëllimet”, përfundoi prononcimin e tij Fonseca.

Ndeshjen e ardhshme, Roma e luan në Serie A, të dielën në transfertën e Genoa-s, me fillim nga ora 15:00. /Insajderi.com