“Football Leaks”, Raiola fitoi 48 milionë euro nga Pogba

“Football Leaks”, Raiola fitoi 48 milionë euro nga Pogba

Transferimi i Paul Pogba te Manchester United ka bërë që agjenti i tij Mino Raiola të përfitojë plot 48 milionë euro. Kjo është ajo që zbulohet në librin “Football Leaks”; Biznesi i pisët i futbollit që tashmë ka dalë në shitje në libraritë e Gjermanisë.

Është tabloidi “The Sun” që ka publikuar një pjesë të këtij libri ku përmendet edhe çështja e kalimit të Pogba për të cilin Manchester United derdhi në arkat e Juventusit 105 milionë euro.

Mesfushori francez përfiton te “Djajtë e Kuq” një pagë prej 200 mijë euro në javë dhe do të marrë një bonus vjetor prej 4 milionë eurosh duke nisur nga sezoni i ardhshëm. Nëse Manchester United do të fitojë Europa League atëherë paga e tij do të rritet në 240 mijë euro në javë. Për më tepër, Pogba do të përfitojë edhe 300 mijë euro të tjerë në vit nga të drejtat e imazhit.

Në libër flitet padyshim edhe për Zlatan Ibrahimovic, i cili rezulton të jetë futbollisti më i paguar në Premier League pasi përfiton 435 mijë euro në javë. Por jo vetëm kaq, Ibra tashmë e ka arritur kuotën e vendosur të golave të shënuar për të fituar bonusin prej 3.3 milionë Eurosh.

Përsa i përket rinovimit automatik të kontratës, suedezit i duhen edhe 4 ndeshje në Premier League, por që ai nuk do t’i luajë për shkak të dëmtimit të rëndë në gju të pësuar në ndeshjen e Europa League ndaj Anderlechtit.